“Klekos Energy” synon ndërtimin e hidrocentraleve në rajonin e Pejës

“Klekos Energy” planifikon të ndërtojë kapacitet të ri gjenerues për prodhimin e energjisë elektrike nga uji, me një kapacitet të instaluar prej 57.8 megavateve. Këto kapacitete do të prodhohen në 5 njësi gjeneruese që do të vendosen në lokacione të ndryshme, në rajonin e Pejës. Në lokacionin “Kuqishta” do të ndërtohet njësia që do të ketë kapacitet të instaluar prej 4.7 MW, në atë “Drelaj I” me kapacitet të instaluar prej 4.3 MW, në “Drelaj II” me kapacitet të instaluar prej 5.4 MW. Do të ndërtohet edhe një njësi në lokacionin “Shtupeq” me kapacitet të instaluar prej 11.6 MW dhe në lokacionin “Rugova” me kapacitet të instaluar prej 31.8 MW. Pra, në total planifikohet që kapaciteti të arrijë në 57.8 megavat.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka lëshuar “Klekos Energy” autorizimin preliminar për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese për prodhimin e energjisë elektrike nga uji. Por, vendimi preliminar nuk i jep të drejtë bartësit që të vazhdojë ndërtimin e stabilimentit përderisa ai t’i plotësojë të gjitha konditat e duhura.

“Kelkos Energy” në menaxhimin e saj ka 65 hidrocentrale tjera në Evropë. Ndërsa, po e njëjta kompani në muajin shkurt të vitit 2011 kishte marrë vizën për ndërtimin e tri hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, përkatësisht përgjatë rrjedhës së lumit Lumbardhi.

“Kelkos Energy”, e cila e ka garancinë bankare në vlerë prej 400 milionë eurosh për ndërtimin e tri hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, “Lumbardhi ll”, “Belleja” dhe “Deçani”, do të investojë mbi 55 milionë euro. Ndërkohë, kapacitetet prodhuese të energjisë arrijnë në 23 megavat.

“Klekos Energy” është e regjistruar në Kosovë, ndërsa aktivitetin kryesor e ka prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar të kësaj kompanie janë “Lumbardhi/Kosovo Beteiligungsellschaft mbH”.

ECIKS / Koha Ditore