KK përmirëson pozitën e punëmarrësve

Prishtinë, 28 tetor 2004 – Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka paralajmëruar se është duke bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës në përgatitjen e fondeve që janë parashikuar për Kontratën Kolektive (KK), si rezultat i së cilës punëtorët kosovarë do të kenë një varg përfitimesh, pasi raportet punëtor-punëdhënës do të rregullohen me ligj.

Kryesindikalisti i Kosovës, Bahri Shabani, tha për gazetën shqiptare “Biznesi” se deri në muajin dhjetor do të përfundojnë të gjitha obligimet që dalin nga Kontrata Kolektive e cila kohë më parë është nënshkruar nga Qeveria e Kosovës – si arbitër i marrëveshjes, BSPK-ja në emër të punëtorëve dhe Oda Ekonomike – në emër të komunitetit të biznesit.

Shabani tha se përfitimet kryesore që do të kenë punëtorët janë mbrojtja dhe siguria në punë, krijimi i fondit për mbështetje të pushimeve mjekësore që ka munguar deri tani, përfshirja e shujtës ditore rreth 2 euro në ditë (e cila përcaktohet çdo fillimviti). Me Kontratën Kolektive do të përfitojnë edhe nënat punëtore, sepse ato do të kenë me pagesë 6 muaj lejen e lindjes. Deri tani kjo leje ka qenë 3 muaj dhe kjo praktikë është dënuar nga organizatat ndërkombëtare si shkelje e të drejtave të fëmijëve të posalindur.

Kontrata e re përcakton edhe orarin e punës prej 40 orësh në javë, mandej pagesën e punës jashtë orarit, kompensimin e punës gjatë fundjavave dhe rritjen e çmimit të punës gjatë natës.

Brenda kornizës së Kontratës Kolektive nuk do të përfshihen pjesëtarët e TMK-së dhe SHPK-së, mirëpo kjo pritet të bëhet në të ardhmen, për shkak të specifikave që kanë këto institucione.

Kohëzgjatja e kontratës
Pas 1 janarit minimumi i kohëzgjatjes së një kontrate pune do të jetë 6 muaj për punëtorë, ndërsa tre muaj për praktikantë. Kreu i sindikatës Shabani thekson se për secilin punëtor që është në marrëdhënie pune pritet të ketë një punësim më të qëndrueshëm sepse deri tani kontratat kryesisht kanë qenë tremujore.

Gjykata e nderit
Për të vlerësuar respektimin e Kontratës Kolektive dhe dënimet në rast të shkeljes së saj, do të krijohet një gjykatë nderi e cila në rast të kontesteve do të punojë bazuar në KK. Këtu është paraparë forma se si mund të largohet punëtori nga puna, obligimet që ka punëtori ndaj pudhënësit, ndërkohë që këto relacione do rregullohen edhe me ligjin e ri të punës që së shpejti pritet të miratohet nga Kuvendi.

Përfitimet e punëtorëve nga Kontrata Kolektive:

· Mbrojtja dhe siguria e punëtorit në punë
· Pagesa e pushimit mjekësor
· Minimumi i kontratës 6 muaj
· Shujta ditore 2 euro
· 40 orë pune në javë
· Garantimi i pushimit javor dhe vjetor
· Përfitimet shtesë në bazë të përvojës dhe
ndërlikueshmërisë së punëve
· Leje e lindjes shkon në 6 muaj
· Krijimi i gjykatës së nderit që merret me shkeljet e të
drejtave të punëtorëve
· Mbështetja e KK në ligjin e ri të punës

ECIKS / Biznesi