Tiranë, 28 tetor 2004 – Monedha amerikane ka kapur dje nivelin më të ulët të vlerësimit ndaj lekut gjatë tetë viteve të fundit. Të dhënat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe tregu valutor tregojnë se një dollar amerikan është shkëmbyer dje me më pak se 100 lekë. Kështu, Banka e Shqipërisë e ka mbyllur ditën e djeshme me normën prej 99.42 lekë, ndërsa në tregun e lirë, rreth mesit të ditës një dollar është shkëmbyer me rreth 98.7 lekë. Duke habitur kërkuesit dhe ofruesit e tij, në rrugën e tij drejt rënies e cila po zgjat prej shumë muajsh, monedha jeshile nuk kishte arritur asnjëherë në një nivel të tillë “vlerësimi” duke bërë që vlera e lekut të rritet ndjeshëm. Lëkundjet e para kundrejt lekut dhe monedhave të tjera, monedha amerikane ka filluar t’i ketë që me fillimin e luftës në Irak duke humbur terren çdo ditë. Në vendin tonë para periudhës së “krizës” me prejardhje Irakun, një dollar shkëmbehej me rreth 135 lekë të reja, shumë kjo e cila ulej çdo ditë krahasuar dhe me monedhat e tjera. Rënie të theksuar kundrejt lekut monedha amerikane ka njohur gjatë tre muajve të fundit, ku nga vlera mesatare prej afro 106 lekë që kishte në fillim të muajit korrik, dollari pësoi rënie çdo ditë duke kapur minimumin e djeshëm nën vlerën 100 lekë. Lidhur me “ndodhinë” ekspertë të ekonomisë dhe financave shpjegojnë se shkaqe të zhvlerësimit të dollarit kundrejt lekut janë vlerësimi i monedhës vendase dhe zhvlerësimi në tregjet monetare ndërkombëtare.
Si efekt të zhvlerësimit, ekonomistët deklarojnë dhe uljen e importeve dhe rritjen e prodhimit vendas, i cili sipas tyre është sezonal. Ulja e importeve ka bërë që të bjerë kërkesa për monedhën jeshile pasi importuesit shqiptarë përdorin dollarin si bazë të tregtisë së tyre me disa vende fqinjë shpjegojnë disa kambistë, të cilët janë pyetur mbrëmë. Kështu furnizuesit e tregut vendas me mallra konsumi përdorin dollarin si mjet financiar për blerjen e mallrave të konsumit të përditshëm si ushqime apo veshje. Shkëmbyesit e monedhave në tregun e Tiranës mendojnë se përsa i përket vendit tonë, kjo ulje mund të jetë e përkohshme pasi edhe mallrat e importit që kanë njohur ulje janë sezonale, ku ata përmendin më shumë prodhimet bujqësore.
Përsa u përket pasojave që mund të ketë rënia në një nivel të tillë, ekspertët mendojnë se kjo do të shkaktojë një rritje të efektit “braktisje”, efekt të cilin monedha amerikane e njeh prej disa muajsh.
Banka e Shqipërisë Lekë për monedhë
Dollari Amerikan 99.42 +0.15
Euro 126.81 -0.11
Poundi Britanik 182.59 +0.29
Franga Zviceriane 82.81 -0.01
Tregu i Lirë 98.80
ECIKS / Shekulli