KEK-u ripërtërinë marrëveshjen me KESH-in

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) kanë ripërtërirë në Tiranë, marrëveshjen për shkëmbimet e energjisë elektrike, që vlerësohet si një hap përpara drejt bashkimit të dy operatorëve të shpërndarjes së energjisë.

KEK-u njoftoi se marrëveshja është nënshkruar nga Arben Gjukaj, drejtor menaxhues i KEK-ut dhe Muharrem Stojku, drejtor i KESH-it.

“Vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 KEK-u ka arritur të kursejë 2.9 milionë euro nga shkëmbimet me korporatën simotër, KESH. Kjo është arritur duke mënjanuar aq sa ishte e mundur importin dhe duke u orientuar në shkëmbime të energjisë elektrike. Me këtë marrëveshje do të arrihet ulja e mëtutjeshme e kostos për të dy korporatat dhe furnizimi stabil me energji elektrike”, tha Gjukaj.

Krijimi i një sistemi të vetëm energjetik paraqet edhe rritjen e fleksibilitetit në furnizim, për shkak se Shqipëria posedon hidrocentrale, ndërsa Kosova termocentrale.

“Aktualisht KEK-u e ka të bazuar prodhimin energjetik 95 për qind në termocentrale, ndërsa KESH-i 95 për qind në hidroenergji. Bashkimi i dy sistemeve paraqet rritje të sigurisë në furnizim dhe shfrytëzimin maksimal të resurseve nga qymyri dhe atyre hidrike me kosto minimale”, shtoi Gjukaj.

Marrëveshja e re definon qartë termat kohorë dhe sasinë e liferimit të energjisë elektrike në rast të rrethanave të veçanta.

ECIKS