Jepet me koncesion Hidrocentrali i Radavcit

Drejtuesit e KEK-ut dhe të kompanisë “Triengëll” nënshkruan sot në Prishtinë marrëveshjen për dhënien me koncesion të Hidrocentralit të Radavcit për 20 vjet. Kjo kompani ka fituar tenderin për koncesionim edhe të Hidrocentralit të Burimit, që pritet të zyrtarizohet pas përfundimit të një kontesti pronësor.

Pas hidrocentralit të Lumbardhit, Korporata Energjetike e Kosovës jep me qira edhe tri hidrocentrale tjera të vogla për 20 vjet, me mundësi të rishikimit të kontratave çdo pesë vjet. Udhëheqësi i KEK-ut, Arben Gjukaj, nënshkroi sot kontratën për dhënien me koncesion të Hidrocentralit të Radavcit me konsorciumin “Triengëll General konstruksion ING” me degë në Kosovë. Gjukaj tha Hidrocentrali i Burimit dhe ai i Dikances janë pothuajse të shkatërruara, ndërkaq ai i Radavcit ka kapacitet momental 350 kilovat orë energji.

Triengëll është përzgjedhur si kompani për marrje me qira edhe të hidrocentralit të Burimit, që pritet të zyrtarizohet pas zgjidhjes së një kontesti pronësor.

Pronari i kompanisë Triengëll, Florin Krasniqi, tha se me sukses e kanë rehabilituar Hidrocentralin e Lumbardhit, dhe do të rehabilitojnë edhe këto dy hidrocentrale, të vogla por me rëndësi kuptimplote për Kosovën.

Drejtuesi i kompanisë “Triengëll”, tha se operimi i Radavcit pritet të fillojë pas një viti. Gjatë fazës së ndërtimit pritet të angazhohen prej 50 deri në 100 punëtorë, ndërkaq gjatë fazës së shfrytëzimit 10 sish.

Në pyetjen pse KEK-u nuk ka investuar vet në këto dy hidrocentrale, Gjukaj tha se i kanë dhënë hapësirë edhe partneritetit publiko-privat, që është treguar i suksesshëm edhe në vende tjera. Ndërkaq Krasniqi, tha se pjesa dërmuese e vendeve të botës janë të hapura për gjenerimin e energjisë nga investitorët privat. Pronari i kompanisë “Triengëll, tha se ka interesim për të investuar edhe në hidrocentralin e Zhurit dhe në 18 hidrocentralet tjera të vogla në Kosovë.

Ndërkohë, për dhënien me qira të Hidrocentralit të Dikances, KEK-u ka përzgjedhur operatorin ekonomik Frigo-Fud Shpk nga Shqipëria.

RTKlive