Ish-ministrja e energjisë: Kisha presion ndërkombëtar

Projekti për termocentralin “Kosova e re” është zvarritur krejt për shkak të presioneve të bëra nga ndërkombëtarët dhe jo vetëm nga këshilltarët e transaksionit por edhe zyrtarë diplomatikë që janë në Kosovë. Këtë deklaratë e ka dhënë ish-ministrja e Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave (MEM), Justina Shiroka-Pula, të mërkurën në një takim. Ajo ka akuzuar direkt ndërkombëtarët për stagnimin e këtij projekti duke shpalosur detaje të pathëna më parë.

“Që nga fillimi i këtij projekti kanë qenë këshilltarët e transaksionit, me propozimet e tyre për çdo herë më të ndryshme se në fillim dhe presionet e tjera ndërkombëtare, ato që këtë projekt e kanë lënë pa u zhvilluar”, ka thënë Shiroka-Pula. Ajo tha se projekti çdo herë, si pasojë e këtyre ndërhyrjeve ka pësuar ndryshime të cilat kanë pamundësuar që të vihet te një propozim konkret dhe i definuar.

Ish-ministrja Shiroka-Pula ka akuzuar këshilltarët e transaksioneve se ata nuk i kanë mbrojtur interesat e Kosovës. “Ata paguhen nga ndërkombëtarët dhe nuk i kanë mbrojtur interesat e Kosovës. Që të mbrojnë interesat e Kosovës ata është dashur të angazhohen e paguhen nga institucionet e Kosovës”, ka thënë ajo.

Pula madje ka hedhur dyshime se të njëjtit kanë mbrojtur interesat e kompanive që synojnë të jenë investitorë në energjetikë në Kosovë. “Ata punojnë për bizneset e veta dhe kompanitë që janë në Kosovë e janë të interesuara për ‘Kosovën e re’”, ka thënë Pula duke ju referuar këshilltarëve të transaksioneve.

Në rrëfimin e saj, Pula ka thënë se edhe futja e “Kosovës B” dhe tendenca që të futet edhe Miniera e Sibofcit në pako me ”Kosovën e re” ka ardhur krejt si pasojë e presioneve ndërkombëtare. Sipas saj, ka qenë tendenca e këshilltarëve të transaksionit që krejt asetet e mundshme t’i jepen investitorit dhe të njëjtit të kenë përfitime maksimale.

Edhe propozimi i parë për hapjen e ofertës për “Kosovën e re”, sipas Pulës, ka ardhur me presionin e ndërkombëtarëve në Kosovë, në këtë rast të USAID-it.

Pula, ndër të tjera, ka zbuluar se edhe propozimi i këshilltarëve të tansaksionit mbi dizajnin tregtar në projektin “Kosova e re” është refuzuar nga Komisioni Evropian për shkak të mospërputhjeve të tij me ligjet e konkurrencës dhe me ato që mbrojnë ambientin. Ajo ka arsyetuar veten për moszbulim të këtyre gjërave, sa ishte pjesë e Qeverisë. “Qëllimi im ka qenë që t’i luftojë këto gjëra sa më shumë që të jetë e mundur nga brenda”, ka thënë Shiroka-Pula.

Projekti “Kosova e re” i referohet planit të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e një termocentrali të ri për t’i përmbushur kërkesat për energji elektrike në mënyrë që të shmangen ndërprerjet elektrike. Kapacitetet e “Kosova e re” janë paraparë të jenë 600 MW, 300 plus 300.

ECIKS / Zeri