IPKO me fondacion për edukim

Kompania IPKO ka hapur një fondacion për bursa të studentëve kosovarë dhe për shpërblime në arritjet individuale e grupore në fushën e teknologjisë informative. Ky fondacioni synon të krijoj dhe mbështesë zhvillimin e udhëheqësve të gjeneratave të ardhshme me vizion digjital për Kosovën.

“Fondacioni IPKO do të ofrojë bursa për edukim, shpërblime për ndërmarrësi dhe do të formojë partneritete inovative për të ndihmuar studentët dhe ndërmarrësit me vizion digjital për Kosovën”, thotë drejtuesi i këtij programi Diell Bakalli. Bursat “Inovatorët e Gjeneratës së Ardhshme”, thotë ai, jepen për studentët në dy vitet e fundit të studimeve të tyre në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Amerikan në Kosovë. Ai tregoi se këto janë bursa që mbulojnë 85 për qind të pagesës së shkollimit për studentët që janë të shkëlqyer në studimet e tyre, kanë interes dhe janë të angazhuar në inovacion digjital.

“Në fund të vitit 2009, IPKO Foundation do të dhurojë “Shpërblimin për Arritje në Teknologjinë Informative”, që do të shpërblejë një individ ose grup që ka influencuar TI-në në Kosovë dhe do të zgjidhet nga një komitet ndërkombëtar”.

Veç kësaj, thotë Bakalli, do të dhurohet një buxhet përkrahës për një biznes plan të ndërlidhur me TI, i cili do të shpallet gjatë festës solemne që do të organizohet në fund të vitit, së bashku me shpërblimin për arritje në TI.

Nga dhurata financiare prej shitjes së aksioneve në IPKO, IPKO Foundation, më parë e njohur si IPKO Institute, ka një buxhet prej më shumë se 3 milionë eurosh. Çdo vjet Fondacioni do të mundohet të shpenzojë 50 për qind të interesit të fituar nga buxheti i dhuratës financiare direkt në programe për bursa dhe shpërblime. Fondacioni gjithashtu demonstron një angazhim të fortë në përkrahjen e bizneseve lokale duke depozituar dhuratën financiare në Raiffeisen Kosovë dhe ProCredit Bankë, si dhe duke angazhuar Ogilvy Kosovë për të dizajnuar markën e Fondacionit, web adresën dhe të gjitha reklamat.

Gazeta Express