IPAK/ECIKS promovon investimet në energji dhe miniera

Vjenë, 28 maj 2008 – Në organizim të zyres së Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve në Vjenë, që menaxhohet nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS), sot në Vjenë është mbajtur një konferencë për promovimin e investimeve në sektorin e energjisë dhe minierave në Kosovë.

Se interesimi i investitorëve potencial për Kosovën është në rritje dëshmon më së miri prania e mbi 70 investitorëve potencial, organizatave e gazetarëve nga Austria, Gjermania e Zvicrra në konferencën e sotme. Pos Zëvendës Ministrit të Energjisë dhe Minierave, Dr. Blerim Rexha, investitorëve potencial u jane drejtuar edhe udhëheqësi i zyrës së Kosovës për promovimin e investimeve në Vjenë, Kujtim Dobruna si dhe drejtori për Shqipëri dhe Maqedoni i gjigandit energjetik austriak EVN, Günther OFNER.

Dr. Blerim Rexha ka prezantuar mundësitë për investime në sektorin e energjisë dhe minierave në Kosovë si dhe ka ftuar kompanitë austriake të investojnë duke shtuar se e njeh mire dhe është i bindur në kualitetin e shërbimeve dhe teknologjisë austriake.

Nje prezantim të përgjithshëm të mundësive dhe klimës investive në Kosovë ka prezantuar Kujtim Dobruna, i cili ka ftuar kompanite austriake të shfrytëzojnë shërbimet dhe informatat që ofrohen falas nga zyra e Kosovës për promovimin e investimeve në Vjenë.

Fakte mëse interesante ka prezantuar edhe drejtori i gjigandit energjetik austriak EVN për Shqipëri dhe Maqedoni, Günther Ofner. Ai ka thënë se pa marre parasysh a na pëlqen apo jo, nuk ka asnjë mënyrë që Ballkani të sigurojë stabilitet energjetik pa përdorur linjitin si burim kryesor të energjisë. Ai ka shtuar se nëntoka e Kosovës, në këtë pikëpamje, është një thesar qe duhet dhe do të shfrytëzohet. Ofner ka konkluduar se energjia e përfituar nga burimet ujore në Shqipëri dhe ajo e përfituar nga linjiti në Kosovë janë një kombinim perfekt për të ardhmen energjetike të rajonit në terësi.

Konferenca e sotme është vazhdim i aktiviteteve promovuese të zyrës së Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve në Vjenë. Kjo zyrë është themeluar dhe menaxhohet nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) dhe financohet nga Qeveria Austriake.

ECIKS