Investimet gjermane në Evropën Lindore tepër lukrative

Berlin, 12 janar 2005 – Kur bëhet fjalë për tregti dhe investicione, vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore janë ndër më të shpejtat. Ndërkohë që vendet e Perëndimit dhe SHBA-s veprojnë ngadalë, shtete si Bullgaria, Rumania, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, si edhe Polonia dhe Ukraina ecin me hapa të shpejtë përpara. Shumë bisnesmenë gjermanë e kanë vënë re këtë fenomen dhe nuk bëjnë vetëm tregti me këto shtete por investojnë gjithashtu në to.

Në fillim lindi vetëm ideja, por gjatë vizitës së tij të parë në Poloni bisnesmeni gjerman Karl-Heinz Knoop nuhati menjëherë se Evropa Lindore ofron shumë shanse. Në Riesenbeck, në veri të qytetit Münster, Knoop ndërton sisteme centrifugale për ushqimin e kafshëve. Firma e tij RIELE ka rreth 70 bashkëpunëtorë, por për shkak të situatës së vështirë ekonomike në Gjermani, Knoop u detyrua të kërkojë tregje të reja. Në fillim në Poloni, pastaj në Rumani, Rusi dhe Ukrainë. A ishte e lehtë kjo gjë?

“Probleme ka gjithmonë, sidomos këtu në Gjermani kur bëhet fjalë për pagat. Pastaj vijnë problemet me korrupsionin, por këto probleme rregullohen. Tani më pëlqen më shumë të punoj në këto vende sesa në Gjermani” – tregon Knoop.

Taksa dhe kosto prodhimi më të ulta si edhe shanse të mira për rritjen e bisnesit si edhe domsdoshmëria për investime shtyjnë gjithnjë e më shumë bisnesmenë të shkojnë në këto vende. Sipas Axel Bauer, drejtorit të Unionit për Evropën Lindore, një numër i konsiderueshëm i vendeve të punës në Gjermani varet nga bisnesi me vendet e Lindjes, i cili ka arritur një volum shumë më të lartë se tregtia me SHBA-s:

“Ka vite që tregtia gjermane në Lindje sjell shifra shumë pozitive. Në vitin 2004 arritëm shifrën më të lartë deri tani, 170 miliardë euro. Kush do të kish menduar në vitet 90 se bisnesi me Rumaninë sjell gati 8 miliardë euro profit në vit?” – thotë Bauer.

200 ditë në vit kalon gjermani Karl-Heinz Knoop në firmat e tij në vendet e Evropës Lindore. Në Gjermani ai ka rreth 25 bashkëpunëtorë dhe në Lindje rreth 250. Profiti që sjellin firmat e tij në Evropën Lindore rritet nga viti në vit.

ECIKS / DWelle