Prishtinë, 16 shkurt 2005 – Projekti i Kushtetutës së Kosovës, i hartuar nga një grup ekspertësh amerikanë, të mbështetur nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, u është dorëzuar sot udhëheqësve të institucioneve të Kosovës. Këta të fundit e kanë cilësuar atë si një nismë të rëndësishme për përgatitjen e Kosovës për zgjidhjen e statusit të saj politikë.
Projekti i kësaj Kushtetute është dorëzuar sot nga profesori i të drejtës ndërkombëtare Paul Williams, i cili në Kosovë njihet nga periudha e konferencës së vitit 1999 në Rambouillet, e cila i parapriu fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe me c’ka ju dha fund luftës gati dyvjecare në Kosovë. Zoti Williams tha se janë tri faza themelore për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Janë tre hapa kryesor për pavarësinë e Kosovës, fillimisht janë standardet e pastaj zgjidhja e çështjes së statusit përfundimtar, por po kaq e rëndësishme është edhe nevoja për kushtetutë”, tha Paul Williams, sipas të cilit “korniza aktuale kushtetuese e hartuar nga administrata nmdërkombëtare duhet t’i lëshojë vendin kushtetutës vendore të Kosovës”.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ndërkaq e vlerësoi si një zhvillim të rëndësishëm hartimin e këtij projekti. “Mendoj se është një moment i rëndësishëm të kemi këtë Kushtetutë të Kosovës. Ne do ta fusim në procedurat parlamentare të aprovimit. Do ta kemi edhe një grup të ekspertëve tanë që do të punojnë”, tha presidenti Rugova.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se është shumë me rëndësi që tashmë ekziston projekti i parë për Kushtetutën e mirëfilltë të Kosovës. “Ne do ta vazhdojmë këtë punë edhë më tej. Pra do të jetë një punë kosovare, e institucioneve të Kosovës, e partive politike duke përfshirë edhe opozitën dhe gjithsesi shoqërinë civile sepse ajo do të rregullojë jetën në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj.
Martin Vulaj, shef i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan u shpreh i kënaqur që ky këshill ishte pjesë e hartimit të projektit të kushtetutës për Kosovën. “Besojmë që ky është një process kosovar, është një dokument I Kosovës që do t’i mundësojë Kosovës t’i tregojë botës se cfarë shteti do të krijojmë në këtë vend. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me qeverinë dhe institucionet e Kosovës” tha zoti Vulaj.
Edhe gjatë ditëve të ardhshme pritet që projekti t’u paraqitet institucioneve dhe partive politike të Kosovës, të cilat kanë kërkuar nga UNMIK-u ndryshimin e Kornizës aktuale Kushtetuese e cila për shkak të ndarjes së përgjegjësive jo rrallë ishte objekt përplasjesh ndërmjet administratës së Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve vendëse.
Tash për tash UNMIK-u ka lënë të kuptohet se do të ketë ndryshime por jo edhe në cështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin mbi Kosovën.
ECIKS / VoA