Hotel "Grand" del në shitje për 12 milionë euro

Prishtinë, 18 gusht 2005 – “Hotel Grand Prishtina” në Prishtinë pritet të dalë në shitje në fillim të shtatorit me Spin-off special, që presupozon, se pronari i ardhshëm i hotelit nuk do të përcaktohet vetëm nga çmimi që ofron, por edhe nga numri i punëtorëve që do të mbajë në punë si dhe nga programi i investimeve

Hotel Grand, hoteli me pesë yje në qendër të Prishtinës, do të dalë në shitje në fillim të shtatorit, me një çmim fillestar prej 12 milionë euro, sipas drejtorit të përgjithshëm të kompanisë, Zekë Çeku. Vlerësimi i këtij objekti është bërë nga Agjencia Sllovene e Privatizimit. “Vlerësimi i objektit është bërë në vitin 2002 dhe për mua ky është çmimi real i tij”,- thotë Çeku. Hotel Grand pritet të hidhet në shitje me Spin-off special, që do të thotë se pronari i ardhshëm i hotelit, nuk do të përcaktohet vetëm nga çmimi, por edhe nga numri i punëtorëve që do të mbajë në punë blerësi i ri dhe programi i investimeve.

Hotel Grandi në Prishtinë, ka 600 dhoma dhe një sipërfaqe prej 34 mijë metrash katrorë. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ka ndërprerë zbatimin e një kontrate për investimin e 3 milionë eurove nga kompania zvicerane Swis Casino, e cila kishte shprehur interes për investime të reja në këtë hotel. Çeku preferon investitorët e jashtëm, pasi thotë se në Kosovë nuk ka eksperiencë të mirëfilltë për të menaxhuar një hotel të tillë, por as para për të paguar dhe investuar më tej.

Por megjithë vlerësimin e agjencisë sllovene, është tregu ai që do të përcaktojë çmimin, për sa kohë që AKM-ja nuk ka përcaktuar një çmim paraprak.

“Në marrëveshje me AKM-në, kemi arritur që “Hotel Grand” dhe hoteli tjetër “Iliria” të shiten me Spin off special, ku 50 për qind e ofertës do të varet nga numri i punëtorëve që do të punësojë kompania blerëse, 25 për qind nga çmimi që do të ofrojë dhe 25 për qind të tjera nga programi i investimeve”,- tha Çeku.

Hotel Grandi është ndërtuar si një hotel me pesë yje, por teknologjia brenda hotelit është e vjetërsuar. Orenditë në dhoma janë të vjetra dhe me përjashtim të disa dhomave, ku është investuar gjatë dy viteve të fundit, shumica prej tyre mund të quhen të denja për hotele me tre yje.

“Për ta bërë Hotel Grandin në Prishtinë me 5 yje, duhen rreth 10 milionë euro investime. Konstrukti i këtij hoteli është për 5 yje, duke pasur parasysh madhësinë e dhomave, sallave dhe hapësirës para hotelit”,- tregon Çeku.

“Dy vitet e fundit në këtë hotel janë investuar rreth 7 milionë euro nga fitimi i grumbulluar. Deri në vitin 2003, ka pasur aktivitet dhe kjo lidhet me numrin e madh të ndërkombëtarëve dhe organizatave të huaja që operojnë në Kosovë”,- thotë drejtori i hotelit. Rreth 95 për qind e klientelës së hotelit është e huaj. Ndërkohë që konkurrenca e madhe e ka dëmtuar shumë aktivitetin e hotelit, pasi vetëm në Prishtinë dhe rrethinat e saj, gjenden mbi 80 hotele, motele të ndryshme dhe kjo ka sjellë pakësimin e punës në Hotel Grand”,- pohon Çeku për konkurrencën.

Një përparësi e Hotel Grandit është se ndahet në tre kulla, të cilat me një investim mund të kthehen në zyra biznesi, zyra administrative apo aktivitete të tjera të ngjashme.

“Investitorët nga Kosova nuk kanë asetet e nevojshme dhe as eksperiencën e duhur për të mbartur mbi supet e tyre menaxhimin e tij. Do preferohej që ata të ishin të huaj dhe të vazhdonin traditën e deritanishme të këtij hoteli. Por problemi i pazgjidhur i statusit, sigurimit të investimeve si dhe i situatës së përgjithshme, mund të çojë deri në dështimin e tenderit”,- përfundoi Çeku.

Çmimet e hotelit
Aktualisht çmimi për të fjetur në Grand për një person, është 60 euro për një natë, ndërkohë që kur këta persona vijnë në marrëveshje me institucionet, çmimi për ta zbritet në 50 euro. Dhomat dyshe për personat që vijnë nga institucionet, çmimi është 80 euro, ndërsa për individët privatë arrin në 130 euro nata.

ECIKS / Biznesi