Prishtinë, 28 shkurt 2004 – Shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri, nuk ka arritur t’i bindë sindikalistët kosovarë që të heqin dorë nga protestat e planifikuara për muajin mars, me të cilat synohet që të shprehet pakënaqësia lidhur me bllokimin e procesit të privatizimit që u bë tetorin e kaluar.
Bahri Shabani, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, tha pas takimit me shefin e UNMIK-ut se ata ende qëndrojnë prapa planeve të tyre për organizimin e protestave dhe grevave të punëtorëve në muajin mars.
Kreu i sindikalistëve kosovarë tha se ai e ka njoftuar Holkerin lidhur me këto plane.
“Holkeri i ka marrë shumë seriozisht kërkesat e sindikatave edhe pse ne nuk kishim një përgjigje të kënaqshme për momentin. E tërë ajo që u tha është se shumica e punëve tani janë të kryera dhe shumë shpejt sindikata do të informohen për hapat që parasheh t’i ndërmarrë Shtylla IV e UNMIK-ut së bashku me kryeadministratorin”,- tha Shabani.
Ai tha se gjatë takimit nuk është biseduar konkretisht për largimin e drejtoreshës së AKM-së Mari Fucci, por shtoi se kërkesat e tyre tani janë të njohura.
Një nga kërkesat kryesore të qeverisë, të përkrahura edhe nga sindikata janë që Fucci të largohet nga AKM-ja, pasi është akuzuar se ajo është fajtore për bllokimin e privatizimit dhe se po synon që të aplikojë ligjet e Milosheviçit në Kosovë, nëpërmes propozimit të procedurave të reja të privatizimit.
Udhëheqësi i sindikatave të Kosovës tha se ata disponojnë me disa dokumente, sipas të cilave AKM parasheh që disa nga ndërmarrjet kosovare të rishqyrtohen nëse janë shoqërore, me të cilën do të rishqyrtohen transformimet pronësore gjatë viteve 90-të.
“Kërkesa jonë është se çdo transformim i ndërmarrjeve shoqërore që është bërë pas 23 marsit të vitit 1989 duhet të jetë i pavlefshme pavarësisht nga kush është bërë”, tha Shabani.
Ai ka paralajmëruar se nesër do të mblidhen sindikatat e Kosovës, ku do të vendoset për datën dhe mënyrën e protestës. Planet e sindikatës do të bëhen publike të hënën.
Kryeadministratori, sipas sindikalistëve, i ka porositur ata që të vazhdojmë të bashkëpunojmë së bashku dhe mundësisht të mos të ketë protesta dhe greva.
Përveç protestave për bllokimin e privatizimit, BSPK ka biseduar me Holkerin edhe për mundësinë e pensionimit të parakohshëm për të gjithë punëtorët që më herët kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet shoqërore dhe ata që nuk kanë mundur të kthehen në punë në ndërmarrjet publike dhe janë më të vjetër se 50 vjeç.
Të dyja palët janë pajtuar se duhet të gjendet ndonjë zgjidhje për këtë kategori të punëtorëve, që llogaritet të jetë rreth 30 mijë veta. Për këtë qëllim pritet që të angazhohet edhe Banka Botërore që mundësisht të nxirret një ligj mbi pensionimin e parakohshëm.
Pas këtij takimi askush nga pala e UNMIK-ut nuk është prononcuar për gazetarët.
ECIKS / Biznesi