Harxhohen paratë për ndërtime

Kriza financiare indirekt ka prekur tregun e patundshmërive në Kosovë. Vërehet ne rënien e shitjes së banesave dhe sipërfaqeve afariste. Tani më shumë ka pyetje për kushtet e blerjes sesa kontrata.. Mungesa e parave të gatshme është një element i krizës. Agjencitë për patundshmëri, të cilat ndërmjetësojnë shit-blerjen, tregojnë se krahas rënies së shitjeve, ka tendencë edhe të ngrirjes së çmimeve. Ekrem Ismajli, avokat dhe pronar i firmës “Eco Impex”, thotë se çmimet në një farë mënyrë janë ngrirë për shkak se oferta në vazhdimësi është në zvogëlim e sipër.
“Në treg ofrohen vetëm patundshmëritë të cilat pronarët kanë ndonjë arsye që domosdo duhet t’i shesin”, tha Ismajli.
Ai thotë se ka ofertë të madhe të banesave të reja.

“Oferta me ndërtimet e reja është duke u rritur. Në çmimin e këtyre banesave ndikon fakti se ato shiten në sipërfaqen bruto, që në realitet blerësi ne momentin fillestar nuk e kupton, por me vonë dëshpërohet”, tha ai.

Sipas tij, çmimet janë dukshëm duke u zvogëluar për shkak të krizës globale financiare, e cila në një mënyrë është e pranishme edhe në tregun kosovar. Edhe mërgimtarët të cilët kane qenë ndër blerësit më të mëdhenj, siç duket, kanë mbetur pa punë e disa kanë pas humbje financiare. Ato dallojnë, varësisht a janë ndërtimet të reja apo të vjetra.

“Te sipërfaqet e reja të destinuara për afarizëm çmimet po bien . Kjo do të reflektohet edhe në gjendjen e ndërtuesve, meqenëse po shtirren mundësitë e financimit”, shpjegon ai.

Ndryshe, agjensioni për patundshmëri “Kapital Ring” e sheh si problem mungesën e parave të gatshme.

“Blerësit më nuk kanë para të gatshme. Ka të interesuar, por kur kuptojnë kushtet dhe çmimin, tërhiqen. Të ndërtimet e reja çmimet janë më të lira, përafërsisht 30 për qind, krahasuar me të vjetrat. Për ketë arsye ato janë me të kërkuara”, tha Dritëro Zhitia, menaxher i kësaj agjencie.

Sa i përket ndërtimeve të vjetra, çmimet pothuajse nuk kanë lëvizur. Lagja me e shtrenjtë mbetet Qendra e Prishtinës, ku një metër katror e banesave kushton 1.800 – 2.200 euro. Pastaj saj vijnë “Banesat e Kuqe” në Bregun e Diellit me mesatare prej 1500 deri 1600 euro për metër katror, lagja “Ulpiana” , 1300 – 1500 euro, ndërsa “Dardania”, 1200 – 1400 euro. Lagja me çmim më të ulët mbetet Bregu i Diellit, pasi atje metri katror nuk shkon më lartë se 1000 euro.

Ndërsa te ndërtimet e reja banesore çmimet përgjithësisht sillen prej 700 deri 1000 euro për metër katror.

Me problemin e krizës në treg përballen e edhe ndërtimtarët, ndonëse të gjithë nuk pajtohen me këtë vlersim. Afrim Zejnullahu, pronar i ndërmarrjes “Inxhiniering Company” në Ferizaj thotë se sivjet çmimet e banesave janë në rënie.
“Kriza po reflektohet. Kjo na ka detyruar që të ndalim hovin ndërtimeve”, thotë Afrimi.

Për Gani Mehmetin nga kompania “Nartel” e Prishtinës çmimet nuk kane lëvizur, madje ato janë ngritur në disa segmente.
“Blerësit i kemi nga diaspora. Ne nuk e vërejmë krizën”, komenton Mehmeti.
As Nebih Zariqi nga kompania “Standard” nuk vëren ndryshime në treg. Punët vazhdojnë dhe çmimet janë të njëjta.
“Gjatë verës presim të kemi më shumë blerës”, thotë Zariqi. .

Mirëpo, bankat në Kosovë nuk paralajmërojnë ndonjë rrezik të madh. Kërkesa për kredi është përafërsisht e njëjtë sikurse ka qenë vitin e kaluar, por po bien kërkesat për kreditimin e ndërtimit. .

Drejtori gjeneral i “ProCredit Bank”, Philip Sigëart, tha se në përgjithësi kërkesa për kredi është në nivel të njëjtë me qershorin e vitit të kaluar. Por, sipas tij, kërkesa për kredi në sektorin e ndërtimit është me e vogël.

“Në sektorin e ndërtimit, kërkesa për kredi është më e vogël. Norma e interesit për këtë produkt nuk ka ndryshuar dhe sillet rreth 12 për qind”, tha Sigëart.
As “Raiffeisen Bank” nuk paralajmëron ndonjë rrezik, sado që edhe aty në total është e vogël pjesëmarrja e kredive për ndërtim.

Sipas Asdren Rrahmanit, drejtor i zyrës për marrëdhënie me publikun ne “Raiffesen Bank”, kreditë për ndërtim janë një produkt i ri në treg dhe janë në rritje e sipër.

“Ky produkt ka segmentin i cili dallon shumë nga njeri tjetri. Kemi kredi personale për ndërtim dhe kërkesat e biznesit për këtë qëllim. Kreditë për ndërtim, që janë një nga produktet hipotekare afatgjate për individë, kanë filluar të lejohen që nga mesi i vitit të kaluar. Pjesëmarrja e tyre në totalin e kredive të lejuara është 3 për qind”, tha ai.

Ndërsa ndërmarrjet e vogla, sipas tij, përkatësisht kreditë komerciale hipotekare marrin pjesë 6.3 për qind në portofolios se kredisë. Kamatat për kredi ndërtimi, prej atyre personale e deri të ndërmarrjet e mëdha, sillen prej 11 deri ne 15 për qind.

Gazeta Express