Hapet panairi për promovimin e biznesit të grave

Prishtinë, 09 korrik 2004 – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Departamentit të zhvillimit të sektorit privat, ka organizuar në Prishtinë panairin “Promovimi i biznesit të grave”, në veçanti të atyre që pësuan nga lufta. Panairin e shpalli të hapur Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ali Jakupi. Qëllimi i organizimit të këtij panairi është nxitja e grave për biznes, e posaçërisht atyre që kanë pësuar nga lufta. Ministri i Tregëtisë dhe Industrisë, Ali Jakupi ka përkrahur këtë nismë dhe ka ndihmuar përmes Departamentit të zhvillimit të sektorit privat organizimin e këtij panairi për ta avancuar ndërmarrësinë e bizneseve, sidomos tek gratë. Punimet e eksponuara në këtë panair janë kryesisht artizanate që janë punuar nga gratë që kanë nevojë të sigurojnë ekzistencën për fëmijët e tyre, por mënyra më e mirë e prezentimit të tyre në treg është përmes shoqatave. Drejtoresha e shoqatës “Lulebora” , Selvete Gashi shpjegon se punëdoret janë kryesisht të grave të fshatrave të Gollakut për ti ndihmuar ato. Ndërkaq, kryetarja e shoqatës së grave “Sara” të trevës së Opojës, Dashurije Sahiti, thotë se eksponatet janë kryesisht të punuara para shumë vitesh, por duke pas brengë që kjo punë mund edhe të shuhet fare, po përpiqemi që përsëri të mbajmë në jetë këtë traditë. Panairi do të jetë i hapur tre ditë, kurse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i fton qytetarët, institucionet si dhe ndërkombëtarët që punëdoret e këtyre grave jo vetëm të vizitohen po edhe të blihen, sepse kështu u ndihmohet atyre.

ECIKS / BalkanWeb