Sot po tejkalojmë barrierat e fundit që penguan lëvizjen e lirë mes qytetarëve për të qenë bashkë si të gjithë popujt që kanë vlerat evropiane dhe që ndërtojnë urat e bashkëpunimit, u tha në ceremoninë me rastin e lëshimit në qarkullim të segmentit të parë prej 38 kilometrave të autostradës Vërmicë-Merdare.
Me prerjen simbolike të shiritit, janë lëshuar në qarkullim 38 kilometrat e para të autostradës Vërmicë-Merdare, e cila do të afrojë edhe më shumë Kosovën me Shqipërinë. Prerjen e shiriti e bën presidentja e Kosovës, Atiefete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kongresisti amerikan Eliot Engel.
Në ceremoninë solemne kanë marrë pjesë drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kongresisti amerikan Eliot Engel, zyrtarë tjerë si dhe shumë qytetarë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se sot po tejkalojmë barrierat e fundit që penguan lëvizjen e lirë mes qytetarëve për të qenë bashkë si të gjithë popujt që kanë vlerat evropiane dhe që ndërtojnë urat e bashkëpunimit.
“Përurimi i kilometrave të parë në territorin e Republikës së Kosovës të Rrugës së Kombit, të ndërtuar me standarde dhe parametra modern është fillimi i një vepre të dëshiruar dhe të pritur shumë gjatë, që Kosova dhe Shqipëria po e realizojnë sot. Po i shkurtojmë distancën dhe po e lehtësojmë komunikimin mes nesh, po i krijojmë rrethanat që të zhvillohen dhe të përparojnë më shpejt për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të popujve evropian”, ka thënë Jahjaga.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kjo rrugë ka rëndësi të veçantë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe për Shqipërinë dhe gjithë rajonin, dhe paraqet projektin më madhor në historinë e Kosovës, një investim strategjik për zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit, i cili do të ofrojë mundësitë më të mira për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
“Kanë kaluar një dekadë qëkur mbrapa nesh telat me gjemba, kufijtë e frikshëm, kalimet ndaluara dhe dëbimet e dhunshme lanë mbrapa historinë e padrejtë, kufij që ndanin dhe për këtë ditë është bërë luftë e drejtë dhe çlirimtare. Për këtë ditë janë çarë shkëmbinj të shembur bjeshkë, janë çarë e shembur mentalitete të vjetra. Njëherë e përgjithmonë prapa nesh të mbesin robëria dhe izolimi. Pa lindjen e Kosovës ky projekt nuk do të jetësohej. Sot ëndrra po bëhet realitet”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur për rëndësinë e autostradës e cila bashkon edhe më shumë Kosovën dhe Shqipërinë, duke realizuar në këtë mënyrë një ëndërr historike të brezave me radhë.
“Kjo është një punë me domethënie të madhe. Shënon një agim të vërtetë politik, ekonomik, social për Kosovën, është rruga me të cilën Republika e Kosovës kontribuon për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, është rruga me të cilën Republika e Kosovës investon në të ardhmen e shkëlqyer evropiane qytetarëve të saj, është rruga e zhvillimit të shpejtë të Kosovës”, ka thënë Berisha.
Kongresisti amerikan Eliot Engel, pasi që ka uruar popullin e Kosovës për autostradën e re, ka thënë se kjo është një ditë e shumë e rëndësishme, pasi që Kosova tash është më pranë Evropës.
“Kjo rrugë siç e tha edhe presidentja, e sjellë Kosovën në zemër të Evropës në një kohë kur të tjerët po i mbyllin kufijtë e tyre, Kosova po i hap kufijtë e saj dhe po bëhet një pjesë shumë e rëndësishme e Evropës”, ka thënë Engel.
Ai ka përgëzuar kryeministrat Thaçi dhe Berisha për ndërtimin e autostradës, e cila do të bashkojë Kosovën me Shqipërinë.
Ambasadori amerikan Kristofer Dell ka thënë se përurimi i këtij segmenti rrugor është edhe një hap tjetër drejt ëndrrës së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, emrin e të cilit mban kjo autostradë.
“Kur e shohim këtë punë në këtë pjesë të kryer brenda 18 muajve është me të vërtetë një çast i rëndësishëm dhe shpresoj se përderisa kjo rrugë është ndërtuar me standarde evropiane do të më lejoni të ndjej pak krenari amerikane, sepse kemi ndihmuar që të kryhet kjo punë në kohë”, ka thënë Dell.
Kostoja e ndërtimit të 38 kilometrave të parë të autostradës prej Vërmicës deri në Suharekë ka kushtuar 330 milionë euro. Punimet në autostradë do të vazhdojnë derisa të përfundojë i tërë projekti, i cili pritet të përfundojë në nëntor të vitit të ardhshëm.
Autostrada Vërmicë-Merdar është cilësuar projekt historik për Kosovën evropiane dhe për integrimin e shqiptarëve në BE. Punimet në këtë autostradë është duke i kryer kompania “Bechtel-Enka”.
Autostrada, punimet në të cilën kanë nisur më 25 prill të vitit të kaluar, do të jetë e sistemit të mbyllur dhe hyrje-dalje do të ketë vetëm në kyçjet e autostradës.
Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.
Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës është 120 km në orë, ndërsa aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të zhvillohet një shpejtësi e projektit prej 140 km në orë.
/ Gazeta Express /