PRISHTINË, 22 TETOR 2007 – Zhvillimi i sektorit privat dhe evitimi i barrierave teknike dhe legjislative, që aktualisht e bllokojnë këtë sektor, do të jenë sfidat kryesore të qeverisë së re, që do të krijohet pas zgjedhjeve të nëntorit. Në debatin e organizuar të hënën nga UNDP-ja rreth zhvillimit të sektorit privat me partitë politike të Kosovës, dhe me rastin e publikimit të tretë të buletinit informativ “Zhvillimi dhe transicioni”, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të ekonomisë rekomandojnë që pas zgjedhjeve të nëntorit, qeveria e re të ketë në prioritet krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik.
Ekspertët e ekonomisë në kuadër të partive politike kanë vlerësuar se transicioni për Kosovën ka filluar shumë vonë dhe si ekonomi e ish-sistemit komunist dhe shoqëri e dalë nga lufta, Kosova mbetet sfidë, jo vetëm në fushën e zhvillimit ekonomik, por edhe në atë të përcaktimit politik në duart e bashkësisë ndërkombëtare. Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Frode Maurig, ka pohuar se përfaqësuesit e partive politike, të cilët do të krijojnë qeverinë e re, duhet ta trajtojnë sektorin privat ashtu si bizneset që i trajtojnë klientët e tyre, si dhe të krijojnë një mjedis të qëndrueshëm për zhvillimin e Kosovës.
“Edhe pse Kosova ka baza të forta për zhvillimin e sektorit privat, siç është korniza ligjore dhe rregullative e bazuar në praktikat më të mira të cilat janë në përkrahje të biznesit privat, Kosova është e mbështetur kryesisht në tregti që e bën një vend me vështirësi të mëdha për të gjeneruar aktivitetin ekonomik, rritje dhe vende të punës”, ka theksuar Mauring. Sipas tij, për zhvillimin e këtij sektori, Qeveria duhet t’u ofrojë përkrahje më të madhe bizneseve të cilat do të rrisin prodhimtarinë vendëse dhe do të zvogëlojnë shkallën e lartë të deficitit tregtar që aktualisht llogaritet të jetë 50 për qind e bruto produktit të brendshëm.
Ndërkaq, Isa Mustafa, kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, theksoi se problemi themelor qëndron në faktin se transicioni në Kosovë ka filluar shumë vonë, megjithatë, sektori privat e ka bërë të veten. Sipas tij, sektori privat është një faktor, i cili do të mundësojë integrimin e ekonomisë së vendit me ekonominë rajonale dhe me atë evropiane. Ai konsideron se sikur Kosova ta kishte statusin e zgjidhur, do të kishte një qasje më të mirë në institucionet financiare ndërkombëtare dhe ky sektor do të ishte shumë më komod. “Sektori privat merr pjesë në krijimin mbi gjysmës së produktit të brendshëm bruto (PBB) të Kosovës, po ashtu merr pjesë në punësimin e pjesës më të madhe të të punësuarve, merr pjesë në furnizimin e tregut me produktet vendore dhe është një faktor shumë i rëndësishëm i zëvendësimit të produkteve të cilat ne i importojmë tani me produkte vendore”, ka pohuar Mustafa.
Gjithashtu, edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vlerësuar se ky sektor sado profitabil për ekonominë e vendit, është ngulfatur nga politikat jo të favorshme makroekonomike. Ai ka përmendur si barrierë taksat për tatimin në fitim, prej 20 për qind si të pavolitshme për tërheqjen e investimeve në këtë sektor. “Të gjithë investitorët janë të interesuar për profit dhe nuk vjen askush me humb profitin këtu për shkak të taksave të larta”, ka thënë Hamza.
Drejtoresha e organizatës “Sheera”, Mirlinda Kusari, gjatë prezantimit të një përmbledhjeje lidhur me zhvillimin e sektorit privat në ekonominë në transicion, ka vlerësuar se gjendja aktuale e sistemit të furnizimit me rrymë duhet të përmirësohet, nëse sektori privat dëshiron të bëhet udhëheqës i rritjes ekonomike në Kosovë.
“Regjimi prej pesë orë me rrymë dhe një pa të mund të jetë së paku i pranueshëm për konsumatorët vendorë dhe kompanitë e vogla tregtare, por edhe barrierë e madhe për zhvillimin e industrive prodhuese që do të gjenerojnë pasuri të vërtetë për popullin e Kosovës”, ka thënë Kusari. Lidhur me pohimet se çështja e pazgjidhur e statusit të Kosovës është duke mbajtur peng zhvillimin ekonomik të vendit, Gëzim Kiseri, ekspert për çështje ekonomike, pohon se jostabiliteti aktual politik është duke pasur një ndikim të lartë mbi ekonominë e Kosovës.
Gjithashtu, sipas tij, dykuptimësia e ligjeve dhe mosefikasiteti i gjyqësorit janë duke shkaktuar probleme enorme dhe për këtë ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës pas statusit të shtrojë si nevojë urgjente krijimin e një strategjie për të definuar se mund ta promovojë zhvillimin privat.
Marrë nga Koha Ditore