Gjermania ndihmon Kosovën me 33 milionë euro

Një marrëveshje ndërshtetërore e nënshkruar të premten ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë, parasheh që gjatë këtij viti Gjermania ta ndihmojë Kosovën me 33 milionë euro investime zhvillimore.

Pjesë e këtij bashkëpunimi është mbështetja në fushën e energjetikës, furnizimit me ujë, integrimit evropian të vendit, nxitja ekonomike dhe e punësimit, ndihma në reformën e administratës publike, si dhe mbështetja në fushën e arsimit.

Nga pala kosovare marrëveshja është nënshkruar nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza; ndërsa nga pala gjermane nga Leo Kreuz nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Leo Kreuz, palës kosovare i premtoi edhe mbështetje në ndërtimin e një rezervari të ujit në afërsi të kryeqytetit Prishtinës. Me ndërtimin e këtij rezervari do të sigurohet uji i pijshëm për 40 % të popullsisë së Kosovës.

Në kuadër të kësaj mbështetjeje do të përmirësohet edhe menaxhimi i ujërave të zeza në jugperëndim të vendit, gjë që do të ndikojë në mënjanimin e problemeve shëndetësore.

Shteti gjerman është donatori më i madh evropian. Që nga viti 1999 qeveria gjermane ka mbështetur rindërtimin e Kosovës, duke vënë në dispozicion rreth 375 milionë euro.

ECIKS