GAP: Investime në energji, transport e bujqësi

Instituti për Studime të Avancuara (GAP) , ka publikuar të martën analizën rreth mundësive të financimit të projekteve të caktuara në Kosovë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), pas anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion. Analiza është kryesisht e fokusuar në investimet e deri tanishme të BERZH-it në shtetet ku operon, me një fokus të veçantë në rajon, si dhe krahasimin e fushave të këtyre investimeve në raport me planet zhvillimore të Kosovës.

“Kosova duhet të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse ku energjia e ripërtërishme, transporti multimodal dhe bujqësia marrin një rol thelbësorë në zhvillim ekonomik, me çka Kosova do të rriste përfitimet nga anëtarësimi në BERZH. Kjo analizë e GAP synon të kontribuojë edhe në hartimin e Strategjisë së Partneritetit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, vlerëson GAP-i.

Qëllimi i BERZH-it mbetet funksionalizimi i tregut duke bërë investimet më të mëdha në sektorin privat dhe në fusha si transporti, energjia e agrobiznesi.

Në bazë të të gjeturave të këtij studimi, Instituti GAP rekomandon që: Kosova si shtet të orientohet në hartimin e një strategjie të zhvillimit ekonomik e cila është në përputhje me objektivat dhe standardet e BERZH-it. “Në fushën e energjisë të hartojë një strategji ku përveç rritjes se efiçiencës në këtë sektor, të përfshihen projekte dhe politika mbështetëse për ndërtimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë”.

Sa i përket transportit, potencial i investimeve të Bankës mbetet infrastruktura rrugore, prandaj përfshirja e hekurudhave si mjet efiçient për transport duhet të ishte një ndër projektet kyçe që do të ndihmonte zhvillimin ekonomik. “Bujqësisë duhet t’i jepet prioritet më i lartë, si njëri ndër sektorët me potencial për përfitim të fondeve dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës; Strategjia e zhvillimit ekonomik të Kosovës duhet të drejtohet drejt krijimit të kushteve dhe infrastrukturës për zhvillimin e sektorit privat si bartës kryesorë i zhvillimit ekonomik”, thekson GAP-i në analizë.

/Telegrafi/