Fundi i idilit për sigurinë e bankave

Mbyllja e Bankës Kreditore të Prishtinës do të ngrejë një varg dilemash ndaj sistemit bankar të vendit, që deri pardje u konsiderua pa të meta dhe shumë i sigurt. Deshën në BPK të pranojnë këtë apo jo, mbyllja e saj shënoi fundin e një idili për sigurinë e plotë të mjeteve të depozituara në banka

Astrit Gashi

Prishtinë, 15 mars 2006 – Klientët e bankave, nga e hëna me gjasë do të bëjnë gjumë më pak të rehatshëm se deri më tani. Tash e tutje secili nga ta mund të shohë në ëndërr veten duke shkuar në mëngjes në bankë për të kryer ndonjë punë dhe ta gjejë atë mbyllur, jo vetëm për një orë apo për një ditë por përherë.

Ëndrra që mund ta shohë ndonjëri ditëve në vijim u ka ndodhur në të vërtetë, të hënën në mëngjes, një numri të klientëve të Bankës Kreditore të Prishtinës. Autoriteti i Bankave dhe Pagesave të Kosovës (BPK), gjatë vikendit, urdhëroi ndaljen e operimeve të kësaj banke për shkak se kapitali financiar i saj ra në minus, krahasuar me paratë e depozituara nga klientët. Kriza financiare kaploi bankën për shkak të kreditimit të papërgjegjshëm të aksionarëve të saj. Si pasojë e saj një pjesë e depozitave si duket nuk do të mund t’u kthehen klientëve.

Efektet negative të mbylljes së Bankës Kreditore nuk do të ndalen në humbjen e një pjese të mjeteve të klientëve të saj. Mbyllja e saj do të ngrejë një varg dilemash ndaj sistemit bankar të vendit, që deri pardje u konsiderua pa të meta dhe shumë i sigurt.

Deshën këtë të pranojnë apo jo në BPK, e hëna shënoi fundin e një idili për sigurinë e plotë të mjeteve të depozituara në bankat kosovare.

Rasti i Bankës Kreditore të Prishtinës, tregoi se paska banka që menaxhohen po aq keq sa edhe disa sektorë të tjerë të ekonomisë dhe se kjo tolerohet nga BPK-ja. Intervenimi i saj ishte shumë i vonshëm, ai nuk sanoi problemin por vetëm e ndërpreu një krizë edhe më të madhe. BPK-ja nuk arriti të sigurojë klientët nga të qenit viktima të keqmenaxhimit të bankave. Po të kishte qenë e kujdesshme me kohë atëherë ajo nuk do të lejonte që mjetet e bankës të keqmenaxhoheshin vazhdimisht nga aksionarët e saj.

Njohësit e bankave që një kohë të gjatë kanë folur për keqmenaxhim dhe për mbyllje të mundshme të kësaj banke, por BPK-ja vazhdimisht ka thënë se gjithçka është në rregull. Banka e mbyllur pardje nuk ka qenë e vetmja që muajve të kaluar është përfolur të ketë pasur probleme të kësaj natyre. Mbyllja e saj rrit shqetësimin se deklarimet për problem të natyrës së njëjtë në disa banka të tjera mund të bëhen të vërteta, sado që BPK-ja e mohon këtë kategorikisht.

Mbyllja e një banke askund nuk do të kalonte pa pasoja. Kudo ajo do të përcillej me krijim ose thellim të pasigurisë së qytetarëve ndaj bankave, por edhe ndaj sistemit rregullues të tyre. Në Kosovë, ku mosbesimi në banka është kultivuar për më shumë se 10 vite, mbyllja e cilësdo bankë dhe humbja e çfarëdo sasie të vogël të parave do të shumëfishojë mosbesimin ndaj bankave individualisht si dhe ndaj sistemit rregullues të tyre në përgjithësi. Shumë është investuar viteve të shkuara për krijimin e besimit në sistemin bankar sa që është e dhimbshme që kjo gjë të luhatet për një kohë të shkurtër. Nga shembja e sistemit bankar të ish-Jugosllavisë që mori me vete një shumë të madhe të kursimeve, kosovarët u detyruan të mbajnë paratë nën jastëk nga frika se po t’i depozitonin ato në banka, për një moment mund t’i humbnin të gjitha. Administrata e UNMIK-ut dhe më pas institucionet kosovare shpenzuan pesë vite, 2000-2005, për të bindur qytetarët se bankat që operojnë kanë para dhe se mbikëqyrja e tyre është aq rreptë sa të mos lejojë që të humbë as edhe një cent nga kursimet e tyre. Ky premtimet duket se nuk do të dalë i saktë në rastin e Bankës kreditore. Zyrtarët e BPK-së thanë se banka është mbyllur për të shpëtuar paratë e klientëve, por kompensimi është thënë se nuk do të jetë i plotë. BPK-ja njoftoi se ka para për të kompensuar 95 për qind të mjeteve të depozituara. Pesë për qind e mjeteve të deponuara në bankë nga klientët do të humbin vetëm për shkak se ata nuk kanë pasur informacion për punët e brendshme të bankës që ia kanë besuar paratë. Vetë fakti se një pjesë e depozitave humbin, flet se premtimi nuk është mbajtur. Sektori bankar ishte ndër të rrallët që u vlerësua pozitivisht në shumë raporte të institucioneve ndërkombëtare ku sektorë të tjerë të ekonomisë morën nota të ulëta. Vërtetim për këtë është rritja e madhe e depozitave në banka nga një vit një tjetrin. Zotimet se ekziston një sistem efikas i mbikëqyrjes dhe se bankat kanë para dhe janë likuide rikrijuan besimin e qytetarëve ndaj sistemit bankar të vendit. Siguria e bankave arriti të shndërrohet thuaja në një mit, në të cilin të gjithë besonin, por në të vërtetë nuk e dinin përse. Gabimi ka qenë se sistemi bankar, është analizuar ndaras nga ekonomia në tërësi, edhe pse ai është vetëm një pjesë përbërëse e saj. Kur e tërë ekonomia të jetë e paorganizuar dhe e dobët është e pamundur që njëri element i saj, në këtë rast bankat, të jenë në të kundërtën. Kolapsi i sistemit bankar në Argjentinë është një shembull që tregon sa janë pashmangshëm të lidhura më njëra-tjetrën pjesët e ekonomisë.

Tash kur besimi në sistemin bankar është luhatur, mbështetja në fushata propagandistike dhe as izolimi i BPK-së nuk ndreq punë, por mbikëqyrja e rreptë e bankave të tjera. BPK-ja e ka në duar krijimin apo jo të panikut tek klientët e bankave.

Frikën tashmë e ka krijuar.

(Marrë nga Koha Ditore e datës 15 mars 2006)