Beqaj: Mbyllja e BKP-së nuk duhet të krijojë panik

Prishtinë, 14 mars 2006 – Mbyllja e Bankës Kreditore të Prishtinës nuk duhet të krijojë panik te depozitarët, pasi 95 % e depozitave do t’u kthehen atyre nga mjetet e gatshme. Kështu tha kreu i Odës Ekonomike Besim Beqaj, i cili është takuar sot me drejtuesit e kësaj banke për t’u interesuar për depozitat e ndërmarrjeve që i përfaqëson Oda Ekonomike. Banka Kreditore është mbyllur dje me vendim të Autoritetit të Bankave dhe Pagesave të Kosovës, pasi i ka shkelur kushtet e licencës. Kjo bankë ka pasur rreth 33 mijë llogari depozitore, ndërsa aksionarët e saj janë lokalë.

Mbyllja e Bankës Kreditore të Prishtinës nuk mund të ndikojë negativisht në sistemin bankar të Kosovës pasi merr pjesë me vetëm 5% në sistemin bankar, tha kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj. Pas vendimit të BPK-së për mbyllje të kësaj banke, me rëndësi është ruajtja e depozitarëve, dhe kthimi i depozitave të tyre. Nga paratë kesh që disponon banka, garantohet kthimi i 95 % të depozitave, pagesa e të cilave pritet të fillojë kah fundi i kësaj jave, tha Beqaj, i cili është interesuar për depozitat e ndërmarrjeve që i përfaqëson oda ekonomike: “Nuk ka rrezik dhe nuk ka vend për panik sepse nëse është një menaxhment i keq i një banke është më mirë të ndërpritet. Jam interesuar të di nëse është bërë mbyllja e bankës me kohë, që të mos hyjë në sfera të piramidave në sistemin bankar dhe është garantuar që është me kohë”. Beqaj tha se askush nuk mund të parandalojë vendimet e këqija të menaxhmentit të asnjë banke. Ndërsa vendimet e menaxhmentit të bankës kreditore kanë rezultuar për shkak të kredive të pa analizuara mirë. Ai theksoi se ndërmarrjet duhet të analizojnë vetë kreditë dhe mundësitë e kthimit të tyre:“Kur e shohim si hap të sotëm, mund të ndikojë negativisht, pak, por në aspektin e sistemit afatgjatë të bankave nuk mund të ndikojë. Ne po tregojmë se në Kosovë nuk lejohet zhvillimi i sistemeve piramidale dhe që nëse nuk ka menaxhim të mirë të bankave ato mund të mbyllen”.

BPK-ja në mënyrë të vazhdueshme i ka dhënë vërejtje menaxhmentit të Bankës kreditore që të rrisin kapitalin dhe ta plotësojnë minimumin e kërkuar për sistemin bankar. Megjithëse kanë tentuar të rrisin kapitalin, drejtuesit e BKP-së nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë, prandaj BPK-ja, ka provuar ta shesë bankën dhe të mos falimentojë, por nuk ka pasur të interesuar, për shkak të obligimeve të shumta: Mësohet se Postë-Telekomunikacioni i Kosovës dhe disa depozitarë të mëdhenj kishin miliona depozita në Bankën Kreditore të Prishtinës.

Bordi Drejtues i BPK-së, bazuar në dispozitat e rregullores së UNMIK-ut 1999/21 “Mbi licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e Bankave”, ka vendosur dje që t’ia ndërpres licencën Bankës Kreditore të Prishtinës, t’ia caktojë mbrojtësin e klientëve, ta zotojnë bankën përmes Mbrojtësit të klientëve apo likuidatorit, që është administrator i përkohshëm si dhe anëtarët e Bordit dhe Menaxhmentin.

Sipas, Autoritetit Bankar dhe të Pagesave, Banka Kreditore ka pasur rreth 33 mijë llogari depozitore. Banka ka pasur bazën në Prishtinë si dhe 6 degë dhe 27 nëndegë në tërë Kosovën. Aksionarët e Bankës kreditore janë lokal.

ECIKS / RTK