Formohet ekipi special kundër evazionit fiskal

Prishtinë, 13 shkurt 2004 – Me qëllim ndalimin e evazionit fiskal ekziston një departament për zvogëlimin e mundësive të ikjes nga tatimet, por në prill do të formohet një ekip tjetër special për këto çështje

Në muajin prill të këtij viti Administrata Tatimore e Kosovës planifikon formimin e një ekipi special i cili do të merret vetëm me çështjet e evazionit fiskal, tha për “Biznesin” Mustafë Hasani, drejtor i Administratës Tatimore (AT).

Sipas tij, Administrata Tatimore me qëllim ndalimin e evazionit fiskal ka një departament për zvogëlimin apo minimizimin e evazionit fiskal, por në prill do të formohet një ekip tjetër special për këto çështje.

AT është trup ekzekutiv i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe njëri nga dy agregatët kryesorë të mbushjes së buxhetit, krahas tatimeve që mblidhen në pikat kufitare. E themeluar në vitin 2000, administrata tani ka një kosto të shpenzimeve mbi 1 për qind të totalit të buxhetit. Administrata posedon 5 zyra rajonale dhe ka 500 të punësuar.
Mbledhja e detyrimeve tatimore është një nga problemet kryesore për mbushjen e arkës së Kosovës. Zyrtarët e qeverisë janë zotuar vitin e kaluar se ata do të ndërmarrin masa për luftimin më të ashpër të atyre që u shmangen detyrimeve tatimore.

Këtë vit MEF-ja është duke përgatitur fillimin e zbatimit të tatimit në të ardhura personale për të gjitha kategoritë. Mandej fillimi i punës për një amendament të ligjit për TVSh-në në përputhje me normativat e BE-së, zgjerimi i aktivitetit të edukimit të tatimpaguesve etj.
Vitin e kaluar kompetencat e Administratës Tatimore kanë kaluar nga UNMIK-u në Ministrinë e Financave.
Drejtuesi i AT-së tha se tatimet të cilat janë duke e aplikuar sot në Kosovë janë: tatimi i paragjykuar, tatimi në të ardhura personale dhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Drejtori i kësaj administrate tha se edhe përkundër vërejtjeve që kanë biznesmenët në lartësinë e taksave, ata nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e tyre, sepse sipas tij administrata tatimore është vetëm zbatuese e të gjitha tatimeve të departamentit të politikës fiskale në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Fiskal.

“Ne vetëm mbledhim tatimet në fuqi dhe nuk kemi ndikim në ndryshimin e ligjeve përveç sugjerimeve që mund t’i ofrojmë këtij departamenti. Nëse ata e shohin të arsyeshme, mund të vendosin ndryshimin e tyre”, tha Hasani.

Të ardhurat nga tatimet zënë rreth 25 për qind e buxhetit.

ECIKS / BIZNESI