FMN: ulja e taksave – kontraproduktive

Tiranë, 31 korrik 2004 – Shefi i misionit të FMN-së, i cili vizitoi Shqipërinë nga data 19-30 Korrik, Julio Escolano, në konferencën e djeshme për shtyp tha se “ulja e konsiderueshme e taksave në këtë fazë, do të kompromentonte objektivat e të ardhurave buxhetore dhe financimin e shpenzimeve publike prioritare, që lehtësojnë varfërinë dhe nxisin rritjen”.

“Parimisht ne nuk jemi kundër uljes së taksave, në rast se do të ketë një zgjerim të bazës dhe do të grumbullohen më tepër të ardhura”, theksoi Escolana. Sipas tij, për vitin 2005 nuk është parashikuar një zgjerim i bazës së të ardhurave. Nëse do të uleshin taksat në mënyrë të ndjeshme, atëherë do të kishte një rënie të të ardhurave, që do të çonte në një rënie të shpenzimeve në ato fusha prioritare të përcaktuara, për reduktimin e varfërisë.

“Kur të ardhurat nga taksat të përmirësohen dhe të jenë reduktuar mospagesat, mund të ketë vend për ulje të normave të taksave në të ardhmen”, vlerësoi Escolano.

ECIKS / Balkanweb