FMN-ja sjell ekspertët në Tiranë

TIRANË, 16 TETOR 2003 – Mbërriti dje në Tiranë misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Hartimi i buxhetit të shtetit për vitin 2004, paketa e re fiskale, niveli i vjeljes së të ardhurave në tatime dhe dogana, inflacioni apo rritja ekonomike sjellin ekspertët ndërkombëtarë në Shqipëri, të cilët pritet që të japin sugjerimet e fundit.

Misioni i ekspertëve drejtohet nga shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Hossein Samiei dhe nga Përfaqësuesi i Përhershëm Jan Peter Olters. “Mbetet akoma shumë për të bërë në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave tatimore, si dhe në përmirësimin e klimës për biznesin privat”, -është shprehur Hossein Samiei 3 muaj më parë gjatë misionit të mëparshëm që vizitoi Shqipërinë nga datat 15-23 korrik.

Mosrealizimi i të ardhurave doganore dhe tatimore, zgjerimi i mëtejshëm i bazës së taksueshme, përmirësimi i marrëdhënieve me biznesin, reduktimi i pengesave administrative, dakordimi i detyrimeve të mbetura ndërmjet institucioneve publike, shlyerja e detyrimeve të vjetra të borxhit të jashtëm, si dhe zgjidhja e detyrimeve të mbetura financiare të Albtelekomit deri në fund të muajit shtator ishin sfidat që misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i la qeverisë shqiptare 3 muaj më parë.

Por qëllimi kryesor i kësaj është mbikëqyrja e buxhetit të shtetit dhe paketës fiskale për vitin e ardhshëm, si dhe realizimi i të ardhurave në institucionet fiskale sipas parashikimeve të bëra në fillim të vitit.

Takimet e misionit të ekspertëve të Fondit Monetar do të përqëndrohen kryesisht në Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave, në Bankën e Kursimeve, si dhe në Ministrinë e Ekonomisë.

ECIKS / SHEKULLI