Firmoset Kushtetuta e Kosovës

Prishtinë – Anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës kanë firmosur të hënën në një ceremoni solemne dokumentin që e kanë hartuar dhe të cilin ia kanë dorëzuar për miratim faktorit ndërkombëtar.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përbëhet prej 40 kapitujve dhe 160 neneve dhe si e tillë e përcakton Kosovën si republikë parlamentare, duke e avancuar rolin e Presidentit të Kosovës i cili do të jetë edhe komandant suprem i forcës së sigurisë së Kosovës, që pritet të themelohet brenda këtij viti pas transformimit të TMK së.

Kosova me kushtetutë përcaktohet si shtet i qytetarëve të saj, ku gjuhë zyrtare janë shqipja dhe gjuha serbe, kurse gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komunal.

Kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur nënshkrimin e Kushtetutës duke u shprehur se dokumenti i ri përben vulën e shtetit të Kosovës.

”Kushtetuta është shpresa jonë për një të ardhme më të mirë. Kemi sakrifikuar gjatë për këtë ditë. Kjo është vula e shtetit të Kosovës, pasi kemi bërë përpjekje të mëdha për shtetin tonë dhe kjo kushtetutë është dinjiteti ynë”, tha Thaçi duke shtuar se “ka besim te shoqëria demokratike e Kosovës do ta respektojë atë.

Kushtetuta e Kosovës u hartua gjatë vitit të kaluar, në pritje të zgjidhjes së problemit të Kosovës, por ajo u certifikua afro dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së saj.

Kushtetuta e re e Kosovës pritet të nënshkruhet edhe zyrtarisht pas certifikimit të saj nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Peter Feith. Pas nënshkrimit të saj Kushtetuta i kalohet Kuvendit të Kosovës për miratim, derisa pritet të hyjë në fuqi më 15 qershor.

Marrur nga Telegrafi.com

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.