Express: “Skuadra e Muhamet Mustafës”

Të enjten do të mbahet takimi i parë i grupit të ekspertëve për ekonomi, i cili do ta ndihmojë ekipin negociues të Kosovës gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Ekspertët vlerësojnë se në këtë grup janë anashkaluar ekspertët e rinj të cilët janë më dinamikë dhe nuk bartin mbi vete ndonjë barrë nga e kaluara.

Prishtinë, 4 janar 2005 – Të enjten do të mbahet takimi i parë i grupit të ekspertëve për ekonomi, i cili është krijuar për të ndihmuar ekipin negociues të Kosovës gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

Kryesuesi i këtij grupi, drejtori i Institutit Riinvest, Muhamet Mustafa, nuk ka dashur t’i japë emrat e këtij ekipi. Megjithatë Express posedon listën e anëtarëve të grupit, i cili grup deri tani është mbajtur larg syve të opinionit.

Muhamet Mustafa i ka vlerësuar njerëzit pjesëmarrës në ekipin e tij si më të mirët në sferën e ekonomisë në Kosovë. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që në nëngrupet që do të krijohen të përfshihen edhe ekspert tjerë. Por të këtij mendimi nuk janë edhe të tjerët.

“Në bazë të bagazhit dhe përvojës që kanë emrat e grupit të ekspertëve për ekonomi, konsiderojmë që do t’i ndihmojnë procesit sa më mirë që është e mundur”, ka deklaruar Mustafa.

Megjithëkëtë, për zgjedhjen e tyre Mustafa pohon se nuk ka pasur asnjë kriter pos vullnetit të tij për t’i inkuadruar në ekipin e tij.

“Ata nuk janë zgjedhur në bazë të asnjë kriteri, vetëm unë si udhëheqës i këtij grupi i ngarkuar nga koordinatori Blerim Shala kam konsideruar se ata janë njerëzit më të duhur për t’i kontribuar këtij procesi. Unë kam qenë ai që i kam zgjedhur këta njerëz”, tha Mustafa.

Blerim Shala javë më parë kishte ngarkuar Muhamet Mustafën si ekspert të ekonomisë që të kryesojë grupin e ekspertëve për ekonomi, dhe më pas ai do t’i zgjidhte pjesëmarrësit tjerë.

Në bazë të listës së emrave që posedon Express, shumë nga ta i takojnë Institutit Riinvest. Jozyrtarisht mësohet se Instituti Riinvest nga qeveria e Ramush Haradinajt është ngarkuar si konsulent për të gjitha proceset ekonomike. Ky institut kishte qenë konsulent i qeverisë Haradinaj, gjë që e ka trashëguar edhe qeveria e Bajram Kosumit.

Por ky fakt deri tani ka qenë i ditur vetëm për qeverinë e Kosovës dhe Institutin Riinvest. Burimi i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri në gazetë, thotë se me këtë hap është lokalizuar puna në një institut, duke mos u dhënë hapësirë për të kontribuar edhe ekspertëve tjerë.

Kujtim Dobruna, kryetarë i Nismës Ekonomike të Kosovës (ECIKS) me seli në Vjenë, vlerëson se në këtë grup janë anashkaluar ekspertët e rinj të cilët janë më dinamikë dhe
nuk bartin mbi vete ndonjë barrë nga e kaluara.

“Nuk i di kriteret në bazë të të cilave janë zgjedhur anëtaret e grupit. Megjithatë, vërehet se edhe në këtë grup janë anashkaluar ekspertët e rinj të cilët janë më dinamikë dhe nuk bartin mbi vete ndonjë barrë nga e kaluara”, vlerëson Dobruna.

Sipas tij, nëse dëshirohet që grupi të funksionojë dhe të kryejë me sukses detyrën që i është dhënë, i domosdoshëm është hartimi i një dokumenti bazë në të cilin do të mbështeteshin negociatat.

“Me rëndësi është që ky dokument t’i identifikojë çështjet ekonomike me rëndësi strategjike për Kosovën dhe për secilën prej tyre të parashohë zgjidhjet e mundshme që shkojnë në favor të vendit tonë”, thotë Dobruna.

Sipas tij, përpos kësaj, rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edhe çështjes se borxheve të ish-Jugosllavisë që janë marrë në emër të Kosovës e të cilat Serbia tash tenton t’ia bartë Kosovës.

“Pra, edhe këtu duhet të përcaktohet qartë pozicioni i Kosovës në bisedime. Përpos kësaj duhet të mendohet edhe për reparacionet e luftës dhe për procesin e ndarjes së pasurisë së ish-Jugosllavisë, në të cilin proces Kosova nuk ishte përfshirë më herët”, vlerëson Dobruna.

Ndërsa dy ditë më parë, i pyetur nga Express se deri ku ka arritur të kompletohet grupi i ekspertëve të ekonomisë dhe cilat janë synimet e tij, drejtuesi i këtij grupi Muhamet Mustafa, nuk ka qenë në gjendje të flasë. Ai ka deklaruar se ky grup është në fazën fillestare të krijimit të tij dhe deri tani nuk ka bërë gjë tjetër pos që është duke kompletuar dokumentacion i cili do t’i nevojitet palës kosovare gjatë bisedimeve me palën serbe.

Grupi i ekspertëve për ekonomi si ndihmë ekipit negociues të Kosovës:

Muhamet Mustafa, Isa Mustafa, Muhamet Sadiku, Ekrem Beqiri, Murat Meha (AKK), Hysni Thaçi (Enti i Statistikës), Iljaz Iljazi, Ali Jakupi, Nazmi Mustafa, Shefqet Cana, Hajrulla Zahiti, Aziz Abrashi, Xhemshit

Duriqi, Ahmet Shala (AKM), Nikë Lumezi, Iljaz Ramajli, Mustafe Blakaj, Adil Fetahu, Besim Beqaj (OEK), Ajri Begu, Ramiz Lladrovci (AAK), Naser Osmani (Kuvendi), Fatmir Rexhepi (Kuvendi), Sejdi Osmani, Agim Shahini (AKB), Nuri Bashota (LEK), Musa Limani (Instituti Ekonomik), Ibrahim Kuka, Selman Selmani, Skënder Berisha, Berim Ramosaj (Presidenca), Iraj Hashi, B. Marendic, P. Williams.

Marrë nga Gazeta Express, Autor: Avdyl Pajaziti