Express: “Koncesioni rrezikon aeroportin”

Prishtinë, 1 tetor 2007 — Nga dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), qeveria e Kosovës rrezikon të fundosë së paku 20 milionë euro. Ende pa filluar faza e koncesionit, në këtë aeroport tashmë janë siguruar edhe fondet për pjesën më të madhe të investimeve. Vetëm rishtrimi i pistës dhe disa anekse shtesë rreth saj do t’i kushtojnë ANP-së rreth 18 milionë euro.

Ky aeroport nuk mund të jepet me koncesion së paku edhe 1 vit, ndërsa deri atëherë investimi kryesor do të jetë i përfunduar. ANP së bashku me investimet është duke punuar edhe me fitim, i cili për vitin 2006 u raportua të jetë rreth 3 milionë euro. Profiti do të rritet edhe më tepër pas zgjidhjes së statusit përfundimtar, sepse ANP do të ketë edhe së paku 5 milionë euro fitim që aktualisht shkojnë për Islandë.

Kur kësaj i shtohet fakti se gjatë këtyre ditëve pritet edhe licenca preliminare nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), atëherë vlera e ANP-së do të rritet shumë më shumë. Predispozitat e tilla duken se kanë indinjuar tej mase menaxhmentin e ANP-së, i cili në mënyrë indirekte e kundërshton vendimin e qeverisë së Kosovës.

“Ne si menaxhment i ANP-së mendojmë se para se të merret vendimi për të ardhmen e aeroportit, është e domosdoshme të bëhen analizat e thukëta se sa ka investuar ANP-ja deri më tani dhe cilat janë format e investimit të mëtutjeshëm, sa do të jetë profitabile ANP-ja dhe sa premtohen nga investitorët e mundshëm në të ardhmen, cilat janë investimet që në të vërtet i duhen aeroportit të cilat janë mirë për t’i pas dhe pas analizave të mirëfillta të të gjitha skenarëve të mundshme të vendoset se kah do të shkojë ANPja”, thotë Skënder Bucolli, zëdhënës i ANP-së. Aeroporti është i detyruar t’i bindet vendimeve të qeverisë, por ka pikëpamje të ndryshme. “Ne në parim do t’i respektojmë të gjitha vendimet e qeverisë, por po ashtu do të japim maksimumin nga ana jonë që të jemi konkurrent me cilindo formë të koncesionimit në mënyrë që t’i dëshmojmë qeverisë arsyeshmërinë që aeroporti mund të funksionojë në gjendjen e tanishme me koncesionime të pjesshme (jo aeronautike)”, thotë Bucolli.

Në anën tjetër, qeveria është optimiste se procesi për dhënie me koncesion pritet të përfundojë vitin e ardhshëm. Sipas tyre, janë duke u bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që pas kësaj periudhe të pasojë dhënia e koncesionit.

“Qeveria ka diskutuar për mbledhjen e të gjitha dokumentacioneve të nevojshme, që pas nëntë apo dymbëdhjetë muajsh të jetë e mundur të jepet me koncesion ANP. Nuk e di, në mbledhjen e qeverisë është diskutuar raporti i Komitetit Ndërministror që ka dhënë rekomandim për dhënien apo jo me koncesion të ANP-së. Por në asnjë moment askush nuk e ka përmend rrënimin e këtij objekti, për ndërtimin e një objekti të ri”, tha Avni Arifi, zëdhënës i qeverisë.

Edhe pse menaxhmenti i ANP-së nuk ka shprehur dëshirën që të ndodhë ky proces, Arifi është shprehur se pas shqyrtimeve të të gjitha ideve, dhënia me koncesion rezulton të jetë më e mira.

“Në bazë të kalkulimeve dhe të gjitha alternativave, del se metoda më e mirë për ardhmërinë e ANP është dhënia me koncesion. Duhet të përgatitemi, sepse tash edhe po që se dëshirojmë ne nuk mundemi me dhënë”, shtoi ai i cili ka shtuar se qëllimi është që pas 12 muajsh qeveria e re e cila vjen të marrë vendim definitiv dhe në kohën që do të merret vendimi, të zbatohet menjëherë.

Se koncesioni është alternativa më e mirë, kështu mendojnë të gjithë zyrtarët e ekzekutivit. Sipas tyre, puna të cilën është duke e bërë komisioni i krijuar për këtë proces duhet të përfundojë pas 12 muajsh.

“Komisioni i krijuar do të punojë për një kohë më të gjatë. Tani për tani nuk ka diçka të shpejtë, por kjo mbetet për një periudhë më të gjatë, ndoshta për vitin tjetër për të parë mundësitë a mund të jepet me koncesion apo jo. Ky është aktualisht edhe qëndrimi i qeverisë”, tha Behxhet Brajshori, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave, i cili ka shtuar se ai komision do të punojë në përpunimin e kritereve të ndryshme përfitimeve që mund të dalin, pastaj për t’i propozuar qeverisë dhe hapin konkret për marrjen e vendimit.

Por, edhe pse ky proces është në fillim, ka gjasa që dhënia e ANP-së me koncesion nënkupton që pronari i cili do ta fitojë këtë tender, ta rrënojë objektin aktual të ANP-së, për ta ndërtuar objektin e ri. Këshilltari për aviacion dhe aeroport në USAID, David G. Bilcliffe, as nuk e ka pohuar dhe as mohuar një gjë të tillë.

“Deri në fund të procesit, pas reklamimit dhe marrjes së shprehjes së interesit, propozimet pastaj do të ftohen nga të kualifikuarit dhe të interesuarit. Çdo propozim do të konsiderohet nga një këshilltar i pavarur i transaksionit kundrejt standardeve të parapërcaktuara të industrisë. Është herët të flitet çfarë mund të përmbajnë këto propozime, sikurse çështjet që kanë të bëjnë me ndërtesën ekzistuese”, tha Bilcliffe.

Marrë nga Gazeta Express