25.06.2006 – Me një investim prej 20 miliardë eurosh tregu energjetik europian do të ketë të përshirë deri në vitin 2015 edhe Europën juglindore. Por para se të arrihet deri aty duhen reformuar tregjet në secilin vend, duhet krijuar tregu i përbashkët energjetik ballkanik dhe duhen transferuar rregullat europiane të tregut energjetik.
Nga Tirana vijnë lajme të mira. Furnizimi me energji elektrike ka qenë këto ditë i siguruar. Masa po merren edhe për përmirësimin e rrjetit, në mënyrë që të ndihmohet edhe furnizimi në dimër. Masat që qeveria shqiptare është duke marrë nuk janë vetëm të llojit teknik. Shqipëria, ashtu si tetë vende të tjera të rajonit përgatiten që deri në vitin 2008 të krijojnë një treg të përbashkët energjetik midis Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Bullgarisë, Rumanisë, mbase edhe Turqisë.
Për të arritur deri tek tregu përbashkët me Bashkimin Europian në vitin 2015 duhet fillimisht të futen rregullat që vlejnë në Bashkimin Europian. Kur kjo të arrihet atëherë tregu i përbashkët mund të fillojë nga funskionimi.
Zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme ” Energji dhe tranport” të Komisionit Ferran Taradellas Espuny e quan “miniaturë e Komunitetit Europian, një komunitet energjetik i këtyre vendeve në rajon.”
Për këtë kanë dhënë aprovimin të gjitha vendet e Ballkanit kur nënshkruan vitin e kaluar marrëveshjen për krijimin e tregut të përbashkët. Deri në fund të qershorit marrëveshja do të jetë ratifikuar nga të gjitha palët kontraktuese, pra 9 vendet e ballkanit dhe Parlamenti Europian, në vend të 25 vendeve të Bashkimit Europian. Më 1 korrik fillon zbatimi i m arrëveshjes. Tregjet energjetike të vendeve të rajonit nuk do të hapen menjëherë, por hap pas hapi. I gjithë procesi do të udhëhiqet nga konceptet “liberalizim dhe privatizim”. Por jo vetëm këto koncepte.
Zëdhënësi i fraksionit EVP-ED në Parlamentin Europian Paul Rübig shpjegon se:”Marrëveshja ka si pikë kryesore rritjen e eficiencës së sistemit energjetik, që do të thotë izolimin e ndërtesave, ngritjen e sistemeve të reja për ndriçimin, përmirësimin e infrastrukturës energjetike, futjen e energjive të renovueshme, si dhe ruajtjen e vlerave për mbrojtjen e ambientit”.
Për të kontrolluar vendet e rajonit nëse i kanë zbatuar si duhet pikat e marrëveshjes do të kujdeset Sekretariati i Përgjithshëm në Vjenë, i cili do të hapet zyrtarisht më 26 qershor. Gjatë këtij takimi pritet që të krijohet edhe Këshilli i Ministrave me Ministrat e Energjetikës të vendeve të rajonit, i cili një herë në vit do të mblidhet së bashku me Komisarin për energjetikën të Bashkimit Europian.
Për të plotësuar të gjitha reformat do nevojiten 20 miliardë euro. Banka Botërore ka dhënë një miliardë. Se ku do gjenden miliardat e tjera e shpjegon Paul Rübig: “Buxheti i Bashkimit Europian deri në vitin 2013 do të ketë një volum prej 900 Milliarden Eurosh, dhe një sektor i rëndësishëm në të është sigurisht sektori energjetik.”
Ndërkohë që në Tiranë përpjekjet përqëndrohen për furnizimin me energji elektrike, në kryeqytetet e tjera të rajonit shqetësimet janë të natyrave të ndryshme. Në dhjetor të vitit 2005 qeveria maqedonisë njoftoi liberalizimin e tregut energjetik të vendit. Por jo vetëm në Maqedoni, edhe në vendet të tjera të rajonit ndjenjat janë të ndryshme kur merren vendime për hapjen e tregjeve energjetike, deri tani monopole shtetërore.
Shqipëria do e ketë më vështirë se vendet e tjera lidhjen me rrjetet ndërkombëtare për shkak të sistemit të mbyllur energjetik që trashëgon nga e kaluara. Për të lidhur Shqipërinë me rrjetet ndërkombëtare është duke u ngritur rrjeti 400 kilovotsh midis Elbasanit dhe Podgoricës i cili do të lidhë Greqinë me Malin e Zi nëpërmjet Shqipërisë. Vendet e tjera të rajonit, si Serbia dhe Kroacia e kanë më të lehtë të lidhen me rrjetet ndërkombëtare, sepse kanë qenë të lidhura me to para viteve nëntëdhjetë, dhe pas disa viteve shkëputje do duhet të kthehen sërish në to.
Me lidhjen në rrjetet ndërkombëtare duhet pritur që çmimet e energjisë në rajon të rriten. Cmimet e naftës dhe gazit përcaktohen nga tregu botëror, por edhe çmimet e rrymës elektrike do influencohen nga tregu i përbashkët, dhe çmimi i një kilovati nuk do të jetë më 3,5 cent për orë siç është aktualisht në Serbi.
Megjithatë Rübig mjendon se çmimet rregullohen: “Nëse bazohemi tek koncepti që kemi aktualisht në tavolinë për përdorimin e energjisë së përzier, që do të thotë se do të ekzistojë konkurenca, atëherë çmimet ulen. Këtë ne e kemi parë edhe në vendet e Bashkimit Europian, aty ku liberalizimi ka funksionuar mirë, aty çmimet janë ulur”.
Në lëvizje nuk do të jenë vetëm çmimet. I gjithë tregu do të jetë në lëvizje. Në rritje do të jetë edhe konsumi i energjisë së ndërmarrjeve. Konsumi shtëpiak mbetet ashtu ashtu i lartë për shkak të ngrohjes me energji elektrike ne dimër dhe përdorimit të klimatizuesve në verë.
Energjia elektrike në Ballkanin perëndimir prodhohet nga hidrocentralet dhe termcentralet që punojnë me qymyr ose gaz, pra nuk prodhohet me energji atomike. Rusët planifikojnë të marrin pjesë në tregun energjetik të Ballkanit. Ata kanë nënshkruar një marrëveshje më qytetin e Novi-Sadit në vlerën 600 milionë eurosh për ndërtimin e një centrali gazi 900 megawat.
Për Paul Rübig: “Natyrisht metoda më e mirë dhe më e lirë e fitimit të energjisë elektrike është me hidrocentrale. Dhe në këtë sektor janë edhe shanset për angazhimin e investitorëve për të prodhuar energji elektrike të sigurt dhe të lirë.”
Kur do arrijë ajo ditë kur njerëzit në tiranë të mos kenë më nevojë të pyesin a do të ketë apo jo drita? Që nga Brukseli Rübig jep këtë përgjigje: “Unë besoj se nëse programi i përgatitur zbatohet si duhet dhe marrëveshja energjetike ndiqet me koseguencë dhe furnizimi me energji elektrike ofron sigurinë në furnizim, çmimet janë konkuruese në kontekstin global, ateherë ofertat në Tiranë do të jenë më të mira se ato aktuale.”
Marrë nga Deutsche Welle