Erdogan inkurajon investimet turke në Kosovë

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i premtoi në Ankara presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu, se qeveria e tij do t’i inkurajojë investimet turke në Kosovë, në mënyrë që të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit ndërmjet Sejdiut dhe Erdogan që u zhvillua në Ankara, u bisedua për forma konkrete të bashkëpunimit në mes të dyja vendeve, sidomos në ekonomi, në edukim, në kulturë etj. Kryeministri Erdogan tha se vendi i tij do të vazhdojë të japë bursa për studentët nga Kosova, si në nivel të studimeve bazike, ashtu edhe për ato të magjistraturës dhe të doktoraturës.

Kryeministri Erdogan e siguroi presidentin Sejdiu se vendi i tij do të jetë një partner ekonomik i Kosovës nëpërmes rritjes së investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.

Presidenti Sejdiu i garantoi autoritetet turke se investimet e jashtme në Kosovë janë të mbrojtura me ligje, të cilat janë në harmoni me standardet më të larta të Bashkimit Evropian.

Presidenti Sejdiu tha se pavarësia e Kosovës ka krijuar stabilitet në rajon dhe iu ka hapur rrugën investimeve të jashtme të cilat po shtohen çdo ditë.

ECIKS