Ekonomia peng i statusit të pazgjidhur

Prishtina merr përsipër borxhin e Kosovës në kuadër të koncesionit – Beogradi do të flasë për pronat e privatizimit dhe akuzon Rohanin, por edhe UNMIK-un. Takimi i Vjenës nuk ka sjellë kurrfarë rezultatesh në fushën e ekonomisë. Për më tepër, është bërë e qartë se shumë çështje në këtë fushë ndërlidhen me një Kosovë me status të rregulluar

Beqë CUFAJ

VJENË, 1 qershor 2006 – Raundi i gjashtë i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për pakon e ekonomisë në Vjenë, të mërkurën, ka kaluar pa rezultate konkrete dhe me dallime të mëdha.

Mikpritësit dhe moderatorët e takimit të sotëm, Albert Rohan dhe Stefan Lehne, thanë në konferencën për gazetarë se takimi megjithatë ishte “i dobishëm”, sepse ka mundur të fitohet një pasqyrë rreth qëndrimeve të Prishtinës dhe Beogradit për tematikën e borxheve të jashtme të Kosovës, pronave shoqërore, shtetërore dhe private, dëmeve të luftës, kontove të ngrira të kosovarëve në kohën e Milosheviqit, sigurimeve pensionale dhe një varg temash të tjera. Si Lehne ashtu edhe Rohan njoftuan se edhe shumë gjëra lidhur me pakon e ekonomisë dalin si drejtpërdrejt të lidhura me procesin e statusit të rregulluar të Kosovës. Kështu derisa Prishtina është treguar e gatshme që të marrë përsipër pagimin e borxheve të jashtme të Kosovës në bazë të marrëveshjes për suksesion në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe atë vetëm për periudhën para regjimit të Milosheviqit, Beogradi nuk ka bërë të qartë nëse do t’i japë të dhënat dhe statistikat e këtyre borxheve, duke e lënë kështu varur si Prishtinën ashtu edhe zyrën e Ahtisaarit. Në të njëjtën kohë Beogradi ka insistuar dhe është ankuar për pronat shoqërore dhe sidomos procesin e privatizimit në Kosovë, duke kërkuar si nga UNOSEK-u ashtu edhe UNMIK-u që ky proces të ndërpritet, sepse, sipas pikëpamjes serbe, kjo prek në interesat e drejtpërdrejta të Serbisë. Mirëpo, nga Rohani delegacioni serb mori përgjigjen se “nuk është përgjegjës” për këtë proces. Rohan nuk ka dashur t’i komentojë akuzat nga delegacioni serb për gjoja mospërgatitjen e negociatave, ndërsa për propozimin e fundit të Tadiqit e Koshtunicës ai ka thënë që ky propozim ka arritur sot në Vjenë dhe se do të studiohet nga zyra e Ahtisaarit. Rohan ka përshëndetur edhe nënshkrimin e sotëm të Dokumentit për Kthimin e refugjatëve serbë në Kosovë nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa pikëpamjet e parashtruara nga Rohani dhe Lehne për një ditë “të frytshme” që nuk solli kurrfarë rezultatesh u vërtetuan edhe nga delegacioni i Prishtinës dhe ai i Beogradit në konferencat e veçanta për shtyp. Skënder Hyseni tha që argumentimi i Prishtinës ishte i drejtë dhe se Kosova është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësinë për të ardhmen e saj në fushën e ekonomisë si shtet i pavarur. Ndërsa delegacioni serb në krye me Leon Kohenin tha se Beogradi nuk e pranon në asnjë mënyrë procesin e privatizimit në Kosovë.

Ndërsa, para fillimit të negociatave për pakon e ekonomisë, udhëheqësit e delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi, me deklarata të shkurtra u paraqitën para gazetarëve. Skënder Hyseni, udhëheqës i delegacionit nga Prishtina, tha se “delegacioni i Kosovës është i përgatitur mirë për takimin e sotëm dhe platforma që Prishtina do ta paraqesë paraqet një qasje serioze për negociatat e sotme”.

“Ne jemi të gatshëm që t’i pranojmë borxhet e jashtme në bazë të marrëveshjes së suksesionit për ish-Federatën Jugosllave, marrëveshje kjo e nënshkruar në vitin 2001”, tha Hyseni. I lutur të komentojë propozimin e djeshëm të Beogradit për statusin e Kosovës, Hyseni tha se kjo është një prej morisë së propozimeve joserioze të Beogradit kur është fjala për statusin e Kosovës.

Në anën tjetër, udhëheqësi i delegacionit serb për ekonominë, rektori i Universitetit të Beogradit, Dejan Popoviq, para gazetarëve deklaroi se “Beogradi do të përqendrohet në bisedimet e sotme në çështjen e pronave, privatizimit, por edhe borxheve të jashtme”. Sipas Popoviqit, këto tema duhet shikuar dhe trajtuar në kontekstin e shtetit të së drejtës dhe standardeve evropiane. I bindur që platforma e Beogradit do të ketë sukses në Vjenë, Popoviqi tha se “në Kosovë është duke u kryer procesi i privatizimit pa u marrë mendimi i Beogradit dhe se edhe në raportin e Kai Eides është thënë qartazi që Serbia është duke u diskriminuar në këtë drejtim nga Kosova”. Në pauzën e drekës, para gazetarëve u paraqit Skënder Hyseni udhëheqës i Delegacionit të Kosovës. Hyseni përsëriti se argumentet e Kosovës ishin të fuqishme dhe të drejta. Ai bëri të ditur se Kosova ka bërë të qartë se është e gatshme të marrë përsipër procesin e pagimit të borxheve, por vetëm në kuadër të marrëveshjes për koncesionet ndërmjet njësive federale të ish-Jugosllavisë. Hyseni po kështu tha se deri tashti është biseduar edhe për pronat dhe për privatizimin. Për privatizimin ai tha se Prishtina ka marrë përgjegjësi të plotë, kurse, sa u përket pronave, ato do të respektohen sidomos kur është fjala për aspektin privat të tyre. Në anën tjetër, anëtari serb i delegacionit nga Beogradi dhe këshilltar i Koshtunicës, Aleksandar Simiq, në paraqitjen e shkurtër para gazetarëve akuzoi Rohanin dhe UNOSEK-un për përgatitje të keqe dhe të shpejtë të negociatave, duke theksuar se Rohani është i interesuar për borxhet e jashtme të Kosovës. “Ne u çuditëm kur delegacioni nga Prishtina tha se nuk ka mjaft të dhëna për borxhet”, tha Simiqi, i cili, siç edhe është pritur, edhe njëherë hodhi poshtë procesin e privatizimit në Kosovë dhe tha se zoti Rohan i ka thënë delegacionit serb se ai nuk është kompetent për këtë temë, sepse ajo hyn në kompetencat e UNMIK-ut.

Marrë nga Koha Ditore