Prishtinë – Punëtorë me rroba pune tërë llaç, shërbyes civilë nga ndërtesa e afërt e Qeverisë, studentë e kush jo tjetër prisnin në radhë me tabakë në dorë për t’u shërbyer nga kuzhinierët e restorantit në një nga dyqanet e “Ben-afit”, prapa Teatrit Kombëtar. “Ben-afi” është një nga vendet e pakta që nuk ka shtrenjtuar çmimet e ushqimit në kohën kur shumica e produkteve ushqimore në Kosovë janë shtrenjtuar. Por këtë thotë se ia del vetëm pasi kanë futur në shitje prodhimet e veta prej mishi dhe brumi.
“’Ben-afi’ e ka fabrikën e mishit, të miellit dhe të ëmbëlsirave. Me këtë i mbulon humbjet për ushqimet tek të cilat ka më pak fitim”, thotë shefi i kuzhinës Kushtrim Gegaj. Sipas tij, ushqimi që shitet pa fitim është pasuli, buka e mishi, por që duhet mbajtur pasi që ka kërkesa për të. Në anën tjetër, atyre u është rritur qarkullimi në restorant meqë nuk kanë ndryshuar çmimet dhe qytetarët zgjedhin “Ben-afin” si zëvendësim të restoranteve të shtrenjta. “Por nuk e di si do t’ia bëjmë nëse sërish shtrenjtohet mielli, siç po flitet”, thotë Gegaj.
Mirëpo qendra tregtare, që në Prishtinë përfiton më shumë nga restorantet sesa nga shitja e mallrave në departamentin e ushqimores, sipas punëtorëve të saj, është një nga të rrallat që nuk i ka rritur çmimet e ushqimeve. Pronarët e restoranteve të kryeqytetit thonë se nuk mund të vazhdojnë t’u shërbejnë klientëve me çmime të ulëta.
Disa restorante tashmë kanë ndryshuar menytë dhe i kanë rritur çmimet për 30 për qind, ndërsa disa të tjera do t’u bashkëngjiten shumë shpejt, pasi që nuk mund të vazhdojnë të punojnë me fitim minimal.
Lavdim Kastrati, punonjës në picerinë “Agora”, tregon se ka një kohë të gjatë që në këtë piceri janë detyruar t’i rrisin çmimet, pasi që janë shtrenjtuar produktet e nevojshme për përgatitjen e ushqimit. “Janë shtrenjtuar të gjithë artikujt dhe jemi detyruar që të rrisim çmimet e ushqimit që shërbejmë”, thotë Kastrati, duke shpjeguar se për këtë kanë pasur reagime edhe nga klientët e rregullt. “Shumë klientë porosisin nga gjysmë sandviçi, prejse janë shtrenjtuar nga një euro e gjysmë në dy”, thotë Kastrati.
Nga rritja e çmimeve është përmbajtur edhe restoranti “Rron”, mirëpo njëri nga pronarët thotë se shumë shpejt do t’i ndërrojnë menytë dhe do të caktojnë çmime të reja të ushqimit. “Rasti i parë që na vjen do t’i ndryshojmë çmimet për 30 për qind. Po e shtyjmë edhe pak derisa të mundemi”, është shprehur Rexha.
Ai thotë se deri tash nuk kanë dashur të bëjnë lëvizje të çmimeve për të mbajtur klientelën dhe se kanë minimizuar profitin duke i mbajtur kostot e shërbimit të njëjta. Por tash që të gjithë kanë filluar të bëjnë ngritje, ai mendon se ka ardhur koha që të rrisë çmimin për t’i përballuar kostos së prodhimit. “Mishi i biftekut ka kushtuar 6 euro, tash është 10 euro kilogrami, ndërsa ne po e shesim 7 euro”, thekson Rexha, duke shtuar se është e papërballueshme të vazhdohet në këtë trend.
Për një vit çmimet e mallrave të konsumit të gjerë në Kosovë janë rritur për 13.2 për qind. Goditja më e madhe ka ardhur nga shtrenjtimi i miellit dhe për pasojë shtrenjtimi i bukës. Muhamet Farizi, drejtor i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, thotë se prodhuesit e miellit nuk mund të garantojnë që në të ardhmen e afërt të mos ketë ndryshime përsëri në çmimin e miellit në treg. Ai thotë se në treg mielli me shumicë është duke u shitur nga 50 centë për kilogram, ndërsa ai me pakicë arrin në 53 centë, dhe është shumë afër kufirit të shtrenjtimit të ri.
“Është vu ai limiti i shtrenjtimit dhe furrtarët do të detyrohen të rrisin edhe çmimin e bukës, pasi që është afër kufirit të shtrenjtimit. Shpresoj se nuk do të ndodhë, megjithëse ka rrezik”, pohon Farizi. Sipas tij, zgjidhja e vetme është ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar, meqë tek një bukë ky lloj tatimi kontribuon me gjashtë centë.
Marrur nga Koha Ditore