ECIKS, AKM promovojnë Brezovicën në Vjenë

Vjenë, 7 nëntor 2007 – Sot në Vjenë, në organizim të Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS), që përfaqëson Agjencinë e Kosovës për Promovimin e Investimeve (IPAK) në rajonin gjermanofolës, është mbajtur një konferencë për promovimin e sektorit të turizmit dimëror në Kosovë, përkatësisht promovimin e investimeve në qendrën e skijimit Brezovica.

Investitorëve të shumtë potencial nga Austria u janë drejtuar përfaqësuesit e ECIKS dhe udhëheqësit e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit (AKM). Hamëz Morina nga ECIKS ka informuar kompanitë austriake për klimën e përgjithshme të investimeve dhe biznesit në Kosovë si dhe shërbimet që i ofron zyra e ECIKS/IPAK në Vjenë, përderisa Ahmet Shala dhe Kirk Adams nga AKM kanë paraqitur procesin e privatizimit në Kosovë dhe kanë folur në detaje për privatizimin e kompleksit turistik Brezovica. Para përfaqësuesve të kompanive dhe mediave austriake ka folur edhe Christian Mikosch nga Wolf Theiss, i cili ka paraqitur kornizën ligjore në Kosovë.

Privatizimi i Brezovicës dhe konferenca e organizuar nga “ECIKS/IPAK Vienna” ka zgjuar një interesim të madh të kompanive austriake. Interesimi i kompanive dhe mediave austriake për Brezovicën është shumë i rëndësishëm, kur të mirret parasysh fakti që përvoja austriake në turizmin dimëror është e jashtëzakonshme dhe e pakrahasueshme.

Zyra e ECIKS/IPAK në Vjenë, e hapur para një viti me financim të Qeverisë Austriake, do të vazhdojë të promovojë Kosovën dhe të ofrojë shërbime gratis për investitorët potencial nga rajoni gjermanofolës.

ECIKS

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.