EasyJet hyn në tregun kosovar

Kompania më e madhe në botë e fluturimeve të lira EasyJet, ka konfirmuar se që nga qershori i këtij viti do të fillojë fluturimet nga Gjeneva dhe Bazeli në drejtim të Aeroportit të Prishtinë dhe njëkohësisht ka filluar shitjen e biletave për këto dy vija ajrore.

EasyJet fillimisht do të nisë me 4 fluturime në javë, ndërsa çmimet fillestare që ka publikuar kompania në ueb sajtin e saj zyrtar janë 39.95 franka zvicerane për një drejtim apo 85.90 franka për një biletë kthyese.

“EasyJet është bërë transportuesi ajror numër një në Evropë duke ofruar çmimet e biletave më të lira tek të gjitha aeroportet më të njohura”, tha Andy Harrison, shef ekzekutiv i EasyJet.

Sipas tij, EasyJet është e vetmja aviokompani evropiane që duke ju falënderuar zhvillimeve pozitive, sot ofron zgjidhje për më shumë se 500 destinacione për kosovarët.

“EasyJet është aviokompania lider në Evropë me çmimet më të lira. Aktualisht ka një flotë prej 182 aeroplanësh të angazhuar në 504 destinacione të ndryshme, prezentë në 119 aeroporte të 29 vendeve të ndryshme. EasyJet ka bartur mbi 46 milionë udhëtarë gjatë vitit të kaluar”, thuhet në komunikatën e kompanisë.

EasyJet është kompani e cila operon me shitjen e biletave vetëm përmes internetit.

Drejtori i Aeroporti të Prishtinës, Agron Mustafa ka pohuar se ardhja e EasyJet paraqet një sinjal të fuqishëm për stabilitetin ekonomik dhe politik të Kosovës.

ECIKS