Duhani, akciza e re, mundësi kontrabande me Kosovën

Me ndryshimet e parashikuara deri më 2009, akciza e duhanit dyfishohet krahasuar me akcizën në Kosovë

Bashkim Shala

Tiranë, 16 korrik 2006 – Në bazë të ligjit të ri për paketën fiskale në Shqipëri për vitin 2006, akciza e cigares në Shqipëri është 2,6 centë më shtrenjtë se në Kosovë. Në vitin 2007, llogaritet që akciza për një paketë cigare në Shqipëri të jetë 40 centë ose 10 centë më shumë se sa është në Kosovë aktualisht, ndërsa në vitin 2008, akciza për një paketë cigare në Shqipëri do të jetë 50 centë ose 20 centë më shumë se në Kosovë. Ndërkohë që në vitin 2009, akciza për një paketë cigare në Shqipëri do të jetë 60 centë, sa dyfishi i akcizës që është aktualisht në Kosovë. Akciza e cigares në Kosovë është 17 euro për njësi standarde (kilogram) ose 34 centë për paketë me 20 cigare. Por Shqipëria ka TVSH-në dhe tarifën doganore më të lartë se në Kosovë. Në Shqipëri TVSH-ja për artikullin cigare është 20 për qind, ndërsa tarifa doganore është 15 për qind.

Llogaritë e kësaj përqindje në doganat e Shqipërisë bëhen në bazë të çmimeve të referencës që janë në treg. Ndërsa në Kosovë TVSH-ja për artikullin cigare është 15 për qind, ndërsa tarifa doganore është 10 për qind. Si TVSH-ja dhe tarifa doganore janë 5 për qind më të vogla se në Shqipëri. Por vlerat më të ulëta të TVSH-së dhe tarifës doganore janë balancuar me ato të Shqipërisë, pasi në Kosovë, deri në qershor të vitit 2006, akciza për një paketë cigare ka qenë më e lartë se në Shqipëri. Në rast se në Shqipëri deri në qershor të vitit 2006 akciza për një paketë cigare ka qenë rreth 20 centë në Kosovë ka qenë rreth 10 centë më e shtrenjtë. Specialistët e tatimeve dhe doganave thonë se këto ndryshime do të joshin biznesmenët për tu pajisur me licencë për transit ndërkombëtar cigaresh, ku cigarja do të kalojë transit nëpër Shqipëri për t’u depozituar në Kosovë dhe më pas serish në Shqipëri kontrabandë përmes vendkalimeve të pamiratuara. Autoritetet doganore në Shqipëri bëjnë të ditur se që nga janari i vitit 2004 në Kosovë, përmes Shqipërisë, nuk ka kaluar asnjë sasi cigaresh, me përjashtim të një sasie të vogël të cigareve që janë të përfshira në kontingjentin ushqimor të KFOR-it dhe nuk janë subjekt zhdoganimi. Asnjë person në Shqipëri që nga janari i vitit 2004 nuk ka licencë për transit ndërkombëtar të cigares në Shqipëri pasi qeveria shqiptare nuk ka rinovuar licencat e subjekteve që kalonin transit cigaren për në Kosovë. Zyrtarë të doganës së Morinit në Kukës bëjnë të ditur se asnjë mall, subjekt i akcizës, përfshi edhe cigaren, nuk ka qarkulluar në pikën doganore Morinë-Vermicë, përveç një sasie cigaresh të përfshirë në kontigjentin ushqimor për llogari të KFOR-it, të cilat nuk i nënshtrohen taksimit, pasi janë për konsum dhe jo për shitje. Zyrtarë të doganës së Kukësit theksojnë se Shqipëria tashmë nuk mund të konsiderohet si vend ku realizohet trafiku i cigareve, pasi në këtë vend, me vendim të parlamentit, janë mbyllur FREE-SHOP-et, ku mund të realizohej “pastrimi” i cigares.

Kosova konsumon duhan sa dyfishi i Shqipërisë

“Nevojat e Shqipërisë për duhan e cigare janë rreth 3 mijë tonë në vit”, deklarojnë specialistët në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Shqipëri. Sipas këtyre specialistëve, kjo është shifra më e saktë, e cila i referohet konsumit të duhanit e cigares në vitin 1991, ku në atë kohë në Shqipëri çdo gjë ishte e centralizuar, përfshirë këtu edhe prodhimin dhe shpërndarjen e duhanit dhe të cigares. Gjatë atyre viteve, Shqipëria nuk importonte asnjë lloj duhani, por bënte të kundërtën, pra eksportonte. Sipas të dhënave të atyre viteve, në Shqipëri konsumoheshin 2 mijë e 700 tonë cigare dhe rreth 300 tonë duhan. Specialistët theksojnë se kjo është shifra më e saktë e konsumit të cigares në Shqipëri, pasi edhe në ditët e sotme, ku kufijtë janë të hapur, numri i qëndrimit të turistëve në këtë vend është i papërfillshëm. Ndërkohë, në bazë të numrit të popullsisë, në Kosovë i takon të konsumohet sa 1/3-a e konsumit të duhanit e cigareve në Shqipëri. Por në Kosovë, të njëjtët specialistë kanë bërë të ditur shifrat e hyrjes në këtë vend. Kështu, në Kosovë konsumohen rreth 6 mijë tonë cigare në vit, pra sa dyfishi i sasisë së konsumit të cigares në Shqipëri me një popullsi prej 3,5 milionë banorësh. Edhe në Kosovë, 40 mijë ushtarët e NATO-s dhe personeli i OKB-së, i vendosur pas 15 qershorit të vitit 1999, nuk ndikon në rritjen e shifrave të konsumit të duhanit. Megjithatë, importuesit e cigareve shprehen se kontrabanda është një nga pikat më të forta të këtij biznesi dhe me rritjen e akcizës pritet që të rritet edhe tendenca për shmangie të doganave, me qëllim shmangies nga taksat e përgjithshme të shtetit.

Kontrabanda, eksperienca nuk mungon

Tendenca për futjen e cigareve kontrabandë është më e theksuar në veri të Shqipërisë dhe pikërisht në pikat kufitare me Kosovën e Malin e Zi. Importues të cigareve që dëshirojnë të mbeten anonimë, kanë bërë të ditur se kjo rritje e akcizës së cigares në Shqipëri do të rifillojë trafikun e cigares nga Kosova në Shqipëri përmes vendkalimeve të pamiratuara ose kufirit jeshil. Shembull për kontrabandën është koha kur trafiku i cigareve nga Kosova në Shqipëri e anasjelltas ka lulëzuar në kohën kur në Shqipëri e Kosovë kishte tarifa të ndryshme doganore për cigaren, ku në Kosovë tarifat ishin mjaft të ulëta, krahasuar me ato të Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve janë evidentuar raste të trafikut të cigareve, kryesisht në zonën e Hasit si në fshatrat Cahan, Kishaj e Pogaj, kufi me Hasin e Prizrenit, në Morinë të Kukësit dhe në disa fshatra të Tropojës, kufi me Kosovën. Para vitit 2004, kur në Shqipëri kishte subjekte të licencuara për transit ndërkombëtar të cigareve për në Kosovë dhe në këtë vend TVSH-ja për këtë artikull ishte shumë më e ulët krahasuar me atë të Shqipërisë, ka ekzistuar një trafik disa herë më i madh i cigareve nga Kosova në Shqipëri e anasjelltas se sa aktualisht. Tregtarë të licencuar të duhaneve dhe cigares në Shqipëri e kalonin këtë artikull në Kosovë dhe pasi e depozitonin në depo në Prizren e Gjakovë, e kalonin serish në Shqipëri, përmes kufirit të gjelbër, në vendkalime të pamiratuara. Autoritetet e policë shqiptare, pikërisht ato të Qarkut të Kukësit dhe ato të UNMIK-ut në Gjakovë, kanë pohuar asokohe se një sasi e cigareve që kalonte në Shqipëri kontrabandë, distribuohej në një depo në lagjen “Çabrat” të Gjakovës

Paketa fiskale
Akciza për cigaret, në paketën e re fiskale, ka pësuar një rritje të ndjeshme. Një rritje të konsiderueshme do të pësojë edhe akciza për paketë. Kështu, edhe akciza për paketë, nga 25 lekë që është aktualisht, do të shkojë nga 39 lekë në vitin 2006, deri në 73 lekë deri në vitin 2009, duke shënuar një rritje të vazhdueshme nga viti në vit. Sipas projektit për paketën e re fiskale, akciza e cigareve do të arrijë në 16 euro/kg, nga 10 euro/kg që është sot. Kjo akcizë do të pësojë një rritje të vazhdueshme gjatë viteve në vijim, duke shkuar nga 20 euro/kg në vitin 2007, deri në 30 euro/kg në vitin 2009.

Shekulli