Dorëzohen përgjigjet për tregtinë me BE-në

Kryeministri Hashim Thaçi, ia ka dorëzuar të enjten në Prishtinë, shefi të Zyrës së Komisionit Evropian (KE), Renzo Daviddi, përgjigjet e 217 pyetjeve të KE-së, të cilat kanë të bëjnë me negociatat për marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Përfshirja e Kosovës në marrëdhënie tregtare me BE-në, sipas Thaçit, paraqet njërin nga hapat në vijim, që e shpijnë Kosovën kah familja evropiane. Kryeministri u shpreh tejet optimist se tash do të pasojë edhe udhërrëfyesi i BE-së për procesin e liberalizimit të vizave.

“Në të ardhmen e afërt, Kosova pret edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kosova është gati t’i hyjë kësaj pune dhe do ta përmbyllë gjithashtu me sukses të plotë. Udhërrëfyesi do t’i shërbejë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, tha Thaçi.

Thaçi falënderoi gjithë ekipin e kosovarëve që kanë punuar në përpilimin e përgjigjeve të KE-së.

Shefi i Zyrës së KE-së tha se kjo është një përgatitje e mirë dhe është hapi i parë drejt një forme të re të bashkëpunimin mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ai tha se është i kënaqur që ky proces është marrë shumë seriozisht nga Qeveria a Kosovës.

Para se të nënshkruhet marrëveshja tregtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së, autoritetet kosovare duhet të japin përgjigje dhe t’i adresojnë 217 çështje të ngritura nga Brukseli zyrtar.

ECIKS