Diskutohet kontrata kolektive dhe "dialogu social"

Prishtinë, 9 nëntor 2005 – Shifra e papunësisë në Kosovë është 42 për qind, u tha sot në konferencën e cila u mbajt në Prishtinë me temën “Fuqizimi i shoqërisë civile në Kosovë dhe promovimi i dialogut social”. Në Konferencë është diskutuar çështja e Kontratës Kolektive, struktura trepalëshe dhe zgjidhja e kontesteve të punës.

Agjencia Evropiane për Rindërtim ka filluar programin për fuqizimin e shoqërisë civile në vitin 2005, i cili ka për qëllim të zhvilloj kapacitetet profesional të partnerëve social- Qeveria, punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ministri i Punës dhe Mirëqenies sociale Ibrahim Selmanaj tha se në Kosovë 42 për qind të popullatës janë të papunë. Ai ka premtuar se “qeveria do të obligohet për implementimin e Kontratës Kolektive”.

Përfaqësuesi i punëdhënësve në këshillin trepalësh, Ismail Kastrati kryetar i OEK u shpreh se Oda Ekonomike do të krijojë në ambient më të mirë ekonomik dhe social në Kosovë duke tërhequr investitorë të huaj. “Problem i vetëm për mos implementimin e Kontratës Kolektive në Kosovë është buxheti i vogël dhe moszgjidhja e statusit”, u shpreh Ali Dragusha përfaqësues i BSPK-së. “Dialogu social është një model evropian”, thanë zyrtarë të AER-it. Sipas tyre, dialogu social po bëhet instrument i rëndësishëm për integrimin e Kosovës në Evropë.

Marrëveshja për themelimin e Këshillit konsultativ trepalësh është nënshkruar me 26 tetor të vitit 2001.

ECIKS / RTKLive