Danezi i dytë në krye të UNMIK-ut

Prishtinë, 18 qershor 2004 – Përfaqësuesi i deritanishëm i Bashkimit Evropian në Maqedoni, diplomati danez Soren Jessen Petersen u zgjodh shef i ri i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës Mimoza Kusari, vlerësoi se emërimi i Petersenit është një hap pozitiv, sepse për një periudhë të shkurtër është zgjedhur pasardhësi i Holkerit. “Institucionet e Kosovës nga administratori i ri presin partneritet mes UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës dhe gatishmëri që të punojë në ndryshimin e rolit të UNMIK-ut, Zëdhënësi i UNMIK-ut Kristijan Lindmajer tha se është shumë herët që të bisedohet për ndryshimet strukturale në UNMIK, të cilat do t’i bëjë Peterseni. Ai së pari duhet të vijë në Kosovë, ta shikojë vendin edhe të vlerësojë se çfarë i duhet së pari, respektivisht zyrë dhe pajisje. Nëse bën ndonjë ndryshim të madh, kjo do të varet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-ve”, theksoi Lindmajer. Soren Jesen Petersen është administratori i pestë civil i Kosovës, që nga qershori i vitit 1999, që kur Kosova është nën adminsitrimin e OKB-ve. Peterseni u emërua nga Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian si i dërguar i posaçëm i BE-së në Shkup, në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa në funskion ka hyrë në shkurt të vitit 2004. Paraprakisht, Peterseni punoi për Komisariatin e Lartë për Refugjatë të OKB-ve (UNHCR) dhe në Sekretariatin e Organizatës Botërore. Peterseni, i cili me profesion është avokat dhe gazetar, nga dhjetori i vitit 1995 deri në shtator të vitit 1996 ka punuar në Misionin e të dërguarit special të UNHCR-së për ish-Jugosllavinë në Sarajevë. Nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2001 ishte ndihmës i Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR) në Gjenevë, ndërsa nga gushti i vitit 1994 deri në janar të vitit 1998 drejtor i Zyrës për lidhje të UNHCR-së në Nju-Jork. Nga janari i vitit 2002 deri në dhjetor të vitit 2003 ishte kryesues për Migrim, për strehim politik dhe nisma rajonale për refugjatë pranë Paktit të Stabilitetit, ndërsa gjithashtu kryesonte edhe me Komitetin aksionar të cilin e përbëjnë vendet e Ballkanit perëndimor, anëtare të BE-së dhe organizata të larta ndërkombëtare.

ECIKS / Balkanweb