CEFTA gjen Kosovën të papërgatitur

PRISHTINË, 15 TETOR 2007– Me gjithë deklaratat e zyrtarëve qeveritarë se implementimi i Marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA, do t’i krijojë mundësi të reja Kosovës në një treg prej mbi 50 milionë banorësh, ekspertët e ekonomisë thonë se aktualisht ajo po e dëmton atë. Këtë më së miri e tregojnë të dhënat e fundit nga Enti i Statistikave të Kosovës për deficitin tregtar që ka arritur në 135.9 milionë euro, që tregon se gjatë kësaj kohe janë eksportuar mallra në vlerë prej 12.7 milionë euro, ndërsa janë importuar 148.7 milionë euro. Dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Rrustem Asllani, vlerëson se shkalla e lartë e deficitit është pasojë e shkallës së lartë të importit dhe prodhimit minor vendës. Sipas tij, marrëveshja për tregti të lirë vetëm sa e ka favorizuar importin pasi që Kosova nuk është partner i barabartë në treg me vendet e tjera të rajonit. “Marrëveshja për tregti të lirë nuk i konvenon asnjë vendi nëse nuk është në nivel të njëjtë me vendet e tjera. Aktualisht, kjo marrëveshje e CEFTA-s Kosovës nuk i konvenon pasi që Kosova nuk është konkurrente dhe nuk është e barabartë me vendet e rajonit”, thekson Asllani.

Ai thotë se për të dalë në tregun ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës duhet të stimulojë prodhimin vendës, sidomos sektorin e agrobiznesit, i cili ka mundësi të prodhojë produkte kualitative. Kjo mbështetje, sipas Asllanit, i ka munguar biznesit në përgjithësi që nga paslufta dhe qeveria duhet të merret më seriozisht me krijimin e një strategjie të mirëfilltë zhvillimore. Në anën tjetër, edhe privatizimi thotë se nuk ka treguar rezultate, pasi një numër i madh i ndërmarrjeve të shitura kanë ndryshuar destinacionin dhe nuk kanë filluar ende prodhimin, që është edhe një indikatorë në rritjen e deficitit tregtar. “Kjo dëshmon se Kosova është importues i madh si i lëndës së parë ashtu edhe i mallrave të konsumit të gjerë dhe është pasojë që reflekton edhe një tregues makroekonomik krahas shkallës së lartë të papunësisë, dhe shkallës së ulët të investimeve, se nuk ka rritje të lartë ekonomike”, thekson Asllani. Bilanci tregtar mes eksportit dhe importit vazhdon të mbetet i pandryshuar që nga paslufta duke vazhduar ta përcjellë ekonominë e Kosovës me deficit. Enti i Statistikave të Kosovës, në buletinin e tij për të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë, tregon për një rritje të deficitit tregtar për muajin gusht në vlerë prej 135.9 milionë euro.

Ndërkaq, eksporti në muajin gusht ka arritur vlerën e 12.7 milionë euro, ndërsa importi 148.7 milionë euro, duke treguar kështu një rritje prej 15.9 për qind për eksportit dhe 15.3 për qind për import, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Nga të dhënat e grupeve kryesore të eksportit prijnë metalet bazë dhe artikujt e tyre me 48.1 për qind, produktet minerale me 14.4 për qind dhe produktet bimore me 8.9 për qind. Në anën tjetër, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 20.1 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, 15.5 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani dhe me 10.7 për qind zënë makineritë.

Në buletinin e ESK-së, në të cilën janë të vendosura shtete me të cilat është realizuar shkëmbimi tregtar i Kosovës, në muajin gusht përqindja më e madhe e eksportit ishte nga Maqedonia me 25.1 për qind, Serbia me 20.2 për qind dhe Shqipëria me 14 për qind. Sa i përket importit, përqindja më e madhe e mallrave vjen nga Maqedonia me 18 për qind, nga Serbia me 14.2 për qind dhe nga Gjermania me 10.1 për qind. Shifrave të importit i kontribuon edhe Bashkimi Evropian, që merr pjesë me 34.4 për qind, ndërsa Kosova në vendet e BE-se eksporton mallra rreth 27.5 për qind.

Të dhënat për këtë deficit tregtar nuk i kanë befasuar edhe aq shumë përfaqësuesit e bizneseve, të cilët shprehen të brengosur me pozitën e bizneseve vendore. Fajin për këtë zyrtarët e Odës Ekonomike të Kosovës ua hedhin institucioneve të vendit, sipas të cilëve po ndërtojnë politika në favor të bizneseve të jashtme. Safet Gërxhaliu, nga OEK-u, pohon se praktika e injorimit të kërkesave të bizneseve ka shndërruar Kosovën në një shoqëri të tregut dhe jo në një ekonomi të tregut, për shkak të procedurave burokratike të cilave nuk mund t’u bëjë ballë biznesi vendës. “Më në fund dëshmohet ajo që e kanë thënë ekspertët vendorë se nga ana qeveritare mungon një përkrahje për biznesin vendës. Nuk na shqetëson fakti se importi është çdoherë në rritje, nga vetë fakti se mungon përgjegjësi totale e institucioneve, Kosova është shndërruar në hapësirë eksperimentale”, është shprehur Gërxhaliu.

Marrë nga Koha Ditore