Buxheti i Kosovës 2005 përafërsisht i njëjtë me 2004

Prishtinë, 24 shtator 2004 – Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadrija tha se pikat fokusuese të buxhetit të drejtuara në rezultate janë të shtrënguara fort në prioritetet e Qeverisë për vitet 2005 – 2007 me qëllim të forcimit të ekonomisë dhe krijimit të vendeve të reja të punës. “Mirëpo, Qeverinë e presin shumë sfida sa më shumë që afrohet faza finale e rrethit buxhetor për vitin fiskal 2005 – 2007”, theksoi ministri Sadria.

Vlerësimet preleminare nga MEF rezultojnë se të hyrat për vitin 2005 janë në nivelin e të hyrave të vitit 2004. Kjo do të thotë se kemi një dallim prej 400 miljonë euro në mes shumës së arsyeshme që është kërkuar dhe shumës që realisht disponojmë . “Kosova nuk mund të ketë deficit buxhetor prandaj duhet të zhvillohet një proces buxhetor në mënyrë që të qëndrohet brenda projeksionit të të hyrave buxhetore të cilat janë paraparë nga departamenti i makroekonomisë”, tha Agim Krasniqi, drejtor i Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës.

Që nga data 30 gusht janë dëgjuar 35 agjencione shpenzuese buxhetore prej të cilave shumën më të madhe e kanë kërkuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe AKM-ja e cila ka kërkuar 154 milionë euro për këtë vit.

ECIKS / RTK