Bullgaria tradhton AMBO-n

Sofje, 20 shkurt 2007 – Projekti për ndërtimin e naftësjellësit AMBO, i cili parashikohet të kalojë përmes Bullgarisë-Maqedonisë dhe Shqipërisë, duket se ka marrë një thikë mbas shpine, pas nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe mes Rusisë, Bullgarisë dhe Greqisë.

Presioni i Rusisë bëri që Bullgaria të tërhiqet nga pozicioni i saj fillestar lidhur me dy naftësjellësit që do të kalojnë përmes saj. Kremlini ka detyruar qeverinë e Sofjes të firmosë shfrytëzimin e portit të Burgasit nga konsorciumi greko-bullgaro-rus dhe jo nga konsorciumi që do të administrojë naftësjellësin AMBO, siç ishte parashikuar.

Pengesa kryesore që mbajti peng nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e naftësjellësit, Burgas-Aksandropolis ka qenë pikërisht naftësjellësi AMBO dhe angazhimi i Bullgarisë për të vënë në dispozicion të këtij projekti të gjitha kapacitetet e portit të Burgasit. Sipas mediave bullgare, marrëveshja e nënshkruar mes Greqisë, Bullgarisë dhe Rusisë, parashikon shfrytëzimin e hapësirës portuale të Burgasit nga kompania ndërtuese dhe më pas menaxhuese e naftësjellësit Transbalkan Pipeline. Kjo pikë e marrëveshjes duket se ka rrëzuar shqetësimin e vendeve në fjalë dhe veçanërisht të Rusisë për kërcënimin real nga projekti tjetër konkurrues AMBO, i cili do të transportonte naftën nga porti i Burgasit drejt bregdetit jugor të Shqipërisë.

ECIKS / Gazeta Express