Brezovica privatizohet pas statusit

Prishtinë, 22 shtator 2006 — Përfaqësuesit e pushtetit lokal të Shtërpcës kanë kërkuar që privatizimi i kompleksit turistik Brezovica, të shtyhet deri në zgjidhjen e çështjes së statusit dhe kështu do të ndodhë.

Bordi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), pa pëlqimin e anëtarëve vendorë të bordit, vendosi që procesin e privatizimit të kompleksit turistik Brezovica, ta shtyjë deri pas definimit të statusit politik të Kosovës.

Shefi i ri i Shtyllës IV të UNMIKut, Paul Acda, tha se pro shtyrjes së procesit të privatizimit të këtij kompleksi janë edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal të Shtërpcës.

“Duke pasur parasysh zhvillimin e negociatave për statusin e Kosovës dhe procesit momental që po zhvillohet në Nju Jork, kemi vendosur që privatizimi i Brezovicës mos të bëhet derisa komuniteti lokal e refuzon këtë gjë, pra pas definimit të statusit politik”, tha Acda.

Ai tha se gjatë javës se kaluar ka pasur disa takime me krerët komunalë të Shtërpcës, të cilët sipas tij, do të ishin të lumtur me privatizimin e këtij kompleksi turistik, nëse një gjë e tillë do të bëhej pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës.

“Jemi në kontakt të përditshëm me menaxherët dhe problemi nuk qëndron rreth asaj se a duhet të bëhet privatizimi ose jo, por kur të bëhet ai”, theksoi Acda, i cili beson se çështjen e privatizimit të Brezovicës do ta trashëgojë institucioni i cili do ta trashëgojë AKM-në dhe UNMIK-un, pas largimit të tyre nga Kosova.

Nga ana e tij, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, tha se ai nuk është pajtuar me shtyrjen e afatit të privatizimit të këtij kompleksi, pasi siç tha ai, menaxherët e kësaj ndërmarrjeje po i sakrifikojnë interesat e ndërmarrjes dhe punëtorëve për interesa të tyre personale.
“Prolongimi i privatizimit të këtij kompleksi është gabim, sepse ne tash po hyjmë në sezon, ndërsa gjendja në atë resor është e tmerrshme”, tha Dugolli, sipas të cilit nuk ka alternativë tjetër përveç privatizimit të këtij kompleksi.

Para afër një viti, AKM-ja kishte publikuar shprehjen e interesit për kompleksin në Brezovicë në revistën prestigjioze The Economist. Kjo ishte bërë me qëllim që të përgatitej për privatizimin e kompleksit dhe ofertuesit potencialë të ishin në dijeni se Brezovica po privatizohet.

Ndryshe, ish-shefi i Shtyllës së IV të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, para një muaji në Shtërpcë ia pati bërë të qartë udhëheqësisë se kësaj komune dhe kryesuesit të delegacionit të Serbisë për bisedime për çështje ekonomike, se privatizimi i kompleksit turistik Brezovica do të bëhet, edhe përkundër akuzave të rënda në mbarëvajtjen e tij dhe kërkesës së palës serbe që ky proces të shtyhet për një kohë të pacaktuar.

Burimi : Gazeta Express