BPB drejt shitjes !

Prishtinë, 22 nëntor 2006 – Banka Private e Biznesit shumë shpejt mund ta ndërrojë pronësinë. Deri tani, sipas burimeve të gazetës, te kjo bankë sytë i ka të drejtuar njëri ndër biznesmenët më me zë në Kosovë, Ekrem Lluka. Sipas burimeve të gazetës Express, Lluka dhe kompania e tij, Dukagjini kanë shprehur interesim të fusin një pjesë të kapitalit të tyre, duke i blerë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve. Zyrtarisht as nuk është mohuar dhe as nuk është pohuar nëse aksionet e Bankës për
Biznes Privat janë në shitje apo jo. Në Bankën për Biznes përgjigjja e vetme ka qenë “pa koment”.

“Unë kontaktova me ta, zëvendësdrejtorin, por nuk ka përgjigje. Përgjigjja e vetme është “pa koment”, kaq unë mund të them dhe asgjë më shumë”, tha për gazetën Vjollca Hashimi, nga Banka për Biznes Privat e Kosovës. Ndërsa në Bankën Qendrore të Kosovës deklarohen se nuk janë në dijen nëse Banka për Biznes është duke kërkuar aksionarë potencialë. “Banka Private e Biznesit është duke zhvilluar aktivitetin e saj normalisht. Kjo do të thotë se nuk kemi informata që ajo është në shitje”, ka deklaruar për Express, Shkëndije Himaj, menaxhere për marrëdhënie me jashtë në Bankën Qendrore të Kosovës.

Aksionarë themelues të BPB-së janë disa kompani kosovare si dhe banka italiane, Banka Di Cividale. Banka Private e Biznesit dhe Banka Ekonomike janë banka me kapital vendor që deri sot nuk ka pasur ndonjë lëvizje të madhe në ndryshimin e pronësisë së aksioneve. Para afro një viti është shitur një pjesë e aksioneve të
Kasabank te Factor Banka sllovene. Shitje të aksioneve ka pasur edhe në Bankën e Re të Kosovës, por kjo lëvizje është bërë nëpërmes kapitali vendor. Ndërkohë,
komplet aksionet e ish- Bankës Amerikane të Kosovës i kishte blerë Raiffeisen Bank, duke paraqitur njërin nga investimet më të mëdha në kapitalin privat deri sot.

Ishte përfolur shumë edhe për bashkimin eventual të tri bankave kosovare, për të krijuar një bankë më të fuqishme, në mes të BPBsë, Bankës Ekonomike dhe BRK-së por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. I cilësuar vite me radhë si mjaft stabil, tregu bankar në Kosovë ishte dridhur në fillim të këtij viti me falimentimin e Bankës Kreditore të Prishtinës, pas dështimit të rritjes së kapitalit dhe problemit madhor me kredi, moskthimi i të cilave filloi të sillte miliona euro humbje në muaj, gjë që e bëri atë jolikuide dhe Banka Qendrore ia mori licencën.

Express / ECIKS