Bordi i AKM-së pendohet: "Alferon" shpallet blerës i Ferronikelit

Prishtinë, 7 korrik 2005 – Pa asnjë vote kundër, Bordi i AKM-së ka vendosur që ofertuesi i dytë, kompania “Alferon”, të jetë pronar i “Ferronikelit” në Drenas, njofton Koha Ditore.

Edhe pse ofertuesi i parë “Adi Nikel” ka ofruar çmim më të lartë për 16 milionë euro, anëtarët e Bordit kanë konsideruar se nuk ka pasur konsorcium valid.

“Kemi zgjedhur ofertuesin e dytë, sepse i pari nuk ka konsorcium valid. Kjo është një zgjidje logjike” tha të mërkurën shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, gjatë një pauze, pas gjashtë orë pune të Bordit…, mbledhja e të cilit ka vazhduar deri në orët e vona.

Dyshimet rreth konsorciumit

Ruecker ka sqaruar tutje për Kohën Ditore se përbërja e konsorciumut “Adi Nikel”, që ka ofruar 49,5 milionë euro, tash nuk është e njëjtë sikur me rastin e ofertimit, përkatësisht të rrethit të partë të tenderit.

“Komisioni i përzgjedhjes është takuar përsëri dhe ka vendosur se përbërja e ofertuesit të parë nuk është e njëjtë sikurse me rastin e ofertimit, prandaj edhe është diskualifikuar”, sqaroi z. Ruecker për gazetën.

“Adi Nikel” në fillim, në garën për tenderin e AKM-së, është futur në konsorcium me “Feni” të Maqedonisë dhe “Percchin” e Italisë. Më pas është mësuar se ofertuesi i dytë “Alferon” ka blerë kompaninë maqedonase. I gjetur në këtë situatë, “Adi Nikel” është munduar që në konsorcium ta fusë kompaninë gjermane “Thyssen Krupp”, e cila është tërhequr duke iu bashkuar ofertuesit të dytë.

Mirëpo, shefi i Shtyllës IV shtoi se tash për tash “Alferoni” është vetëm fitues i përkohshëm, sepse duhet të verifikohet historiku i tij.

Nënkryetari i Bordit të AKM-së, ministri për Tregti dhe Industri, Bujar Dugolli, i cili është akuzuar nga ofertuesi i parë për marrëveshje të fshehta me “Alferonin”, tha se në mënyrë të kujdesshme i kanë shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe në mënyrë unanime kanë marrë vendimin.

“Adi Nikelit” i kemi dhënë shans edhe pas prishjes së konsorciumit, që ai të ndërtojë një konsorcium të ri, por sërish ka dështuar” tha Dugolli për Kohën Ditore, duke shtuar se të gjitha dilemat edhe për kompaninë e shpallur fitues i përkohshëm do të shqyrtohen brenda një muaji.

“Nëse vërtetojmë që diçka s’është në rregull, si për kompaninë, apo prejardhjen e parasë, normalisht nuk do ta ratifikojmë kontratën. Por, nëse gjithçka është në rregull, ne do ta përkrahim atë”, tha Dugolli dhe bëri me dije se asnjë anëtar i Bordit nuk ka qenë i mendimit që të ritenderohet shitja e “Ferronikelit” pa ia dhënë shansin ofertuesit të dytë.

“Ferronikeli” i shitet atij që ofroi çmim më të lirë

Sado që “Adi Nikel” ka përsëritur se do ta padisë AKM-në në gjykata ndërkombëtare nëse nuk e shpallin fitues, sipas Dugollit nuk mund te ketë asnjë padi që mund të hedhë vendimin e Bordit të AKM-së.

Sido që të jetë, ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me çdo vendim të gjykatës” shtoi ai, njofton më tutje gazeta.

I pyetur nga gazeta se a është e vërtetë që rusët qëndrojnë prapa ofertuesit të dytë, Dugolli shtoi se “informacionet që i kemi, flitet për një kompani me seli në Londër dhe me pronar kryesor një izraelit që ka aksione në shumë vende të botës”.

“Bordi nuk ka informata se kjo kompani ka diçka me Serbinë dhe për momentin këto janë spekulime”, tha Dugolli për Kohën Ditore.

Zyrtarët e “Adi Nikelit” kanë akuzuar qeveritarët në Bordin e AKM-së se “Alferoni” është shpallur fitues përkundër ofertës gati 17 milionë euro më të lirë, pasi që ka korruptuar këta qeveritarë.

Në një shkrim tjetër, “Koha Ditore” informon më detajisht për këto akuza të kompanisë “Adi Nikel” ndaj qeveritarëve. Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, për të fituar tenderin asaj i janë kërkuar gjithsej 3 milionë euro – nga një milion për ministrin Dugolli, për kryeministrin Kosumi dhe për AAK-në. Këto akuza më pas janë demantuar nga ministri Dugolli dhe janë quajtur si shpifje dhe të pavërteta.

Ditë më parë Kuvendi i Komunës së Drenasit dhe Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Ferronikelit” kanë kërkuar anulimin e tenderit me arsyetim se prapa blerësit “Alferon” qëndrojnë kompani ruse dhe serbe.

Fati i tenderit të “Ferronikelit” do të varet nga vërtetimi i historikut dhe i prejardhjes së parave të blerësit të ri “Alferon”. Vetëm pas kësaj do të vendoset për lidhje të kontratës me “Alferonin” apo për ritenderim, kanë bërë të ditur zyrtarë ndërkombëtarë në Kosovë.

ECIKS