Biznesmenët kosovarë u ankuan për politikat fiskale, për procedurat e AKM-së për privatizimin, për pengesat me furnizim me energji elektrike… Zyrtarë qeveritarë dhe ata të UNMIK-ut thanë se këto janë procedura që nuk mund të tejkalohen
Arbana Xharra
Prishtinë, 19, maj 2006 – “Ose më lejoni të nisi punën në hotelin që e kam ble ‘Grand’, ose m’i ktheni paratë”, i është drejtuar Shefit të Shtyllës së IV blerësi i përkohshëm i hotelit më të madh në Kosovë , pronari i “Silkaporit”, Zylqif Berisha, të enjten gjatë një dreke pune të mbajtur në “Villa Gërmia”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me qëllim diskutimi për problemet që kanë bizneset anëtare të kësaj Ode.
Berisha u ankua në procedurat e AKM-së, të cilat po u krijojnë humbje të mëdha blerësve të ndërmarrjeve shoqërore. “Unë i kam pagu 8.1 milionë euro, dhe ende nuk është nënshkruar kontrata, tash unë në muaj kam humbje 100 mijë euro për shkak të kamatës për paratë që i kam marrë në bankë”, u ankua blerësi i përkohshëm i “Grandit”, duke kërkuar nga kryetari i Bordit të AKM-së, Joachim Ruecker, që të shpejtohen procedurat në mënyrë që të nisë punën sa më shpejt.
Ruecker tha se duhet pritur sepse këto janë procedura që nuk mund të tejkalohen. “Ne duhet patjetër që të bëjmë verifikimin e historikut të kompanisë suaj, këto janë procedurat dhe duhet të prisni”, tha Ruecker.
Biznesmenët tjerë u ankuan në politikat fiskale, në pengesat me furnizim me energji elektrike…
Pronarët e kompanisë “Bejta Comerce” nga Gjilani përmenden borxhet që iu ka KEK-u dhe Ministria për Energji dhe Miniera.
“KEK-u nuk na ka paguar ende 127 mijë euro borxh, si dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale na ka borxh rreth 73 mijë euro”, tha Avdyl Hasani, nga kompania “Bejta Comerce”.
Ai bëri të ditur se si pasojë e mosfurnizimit të rregullt me energji elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës është dashur t’i dërgojë në pushim 40 punëtorë.
Sipas tij, edhe taksat e materialit ndërtimor në Kosovë janë shumë të larta. “Taksat e materialeve të ndërtimit në Kosovë janë 1 euro për metër kub, ndërsa në asnjë vend tjetër të botës nuk janë më të larta se 10-40 centë”,tha Hasani.
Edhe pronarët e kompanisë “Devolli” u ankuan në politikat fiskale dhe në vendosjen e akcizës për pijet joalkoolike.
Nga ana tjetër, Luan Dalipi, kryetar i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se Qeveria e Kosovës dita ditës po i afrohet sektorit privat.
Kurse, Joachim Ruecker, shef i shtyllës IV të UNMIK-ut, shtoi se nuk është fshehtësi që gjendja ekonomike në Kosovë është shumë e vështirë. “Rritja e përgjithshme ekonomike varet nga sektori privat dhe në këtë mënyrë po kompensohen edhe shpenzimet e sektorit publik, dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga rrethi vicioz është përmes tërheqjes së investitorëve privat, e sidomos atyre të huaj”, tha Ruecker.
Ministri i MEM-it, Et’hem Çeku, tha se gjatë javës se ardhshme në Kosovë do të vijë një ndër bankat më të mëdha amerikane, e cila është e interesuar për të investuar në Kosovë. Ai foli edhe për projektet për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.
“Krahas këtyre projekteve të mëdha, ne do të jemi një krah i fuqishëm i kompanive vendore që këto të jenë pjesë e projekteve në fjalë”, tha Çeku.
Ai tha se edhe kompani tjera, përveç “Alferonit”, blerësit të “Ferronikelit” do të jenë konsumatorë të privilegjuar.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, shtoi se bizneset kanë shumë vështirësi, por nuk la pa thënë se nuk ka munguar edhe mbështetja e qeverisë.
“Por, investimet e investitorëve të huaj në Kosovë janë prioritet i institucioneve kosovare, rastet konkrete të investimeve të tilla kanë ndodhur falë gatishmërisë se vetë komunitetit të biznesit kosovar dhe bashkëpunimit më diasporën kosovare”, tha ministri Dugolli, për të shtuar se Kosova ka potenciale dhe pasuri natyrore, të cilat mund të shfrytëzohen.
(Marrë nga Koha Ditore)