Bjeshkët mbulojnë bakrin

Kompania Phelps Dodge do t’i fillojë hulumtimet për xehen e bakrit në Bjeshkët e Nemuna. Bakër dyshohet të ketë edhe në bjeshkët e Pashtrikut dhe të Sharrit. Po gjetën bakër, amerikanët do t’i investojnë së paku 500 milionë euro. “Janë të interesuar të gjithë për Kosovën”, tha për Express këshilltari i ministrit Çeku, Lorik Haxhiu

Prishtinë, 25 nëntor – Bjeshkët e Nemuna, ato të Sharrit dhe të Pashtrikut vitin e ardhshëm mund të mos jenë vetëm atraksione turistike dimërore. Sipas ministrisë së Energjetikës dhe Minierave, aty janë vërejtur shumë anomali, disa nga këto me sipërfaqe me mbi 10 mijë metra katrorë sidomos në zonën e Pashtrikut, të cilat përmbajnë mbi 1 për qind bakër.

Se a ekziston një pasuri e vërtetë e bakrit në nëntokën e këtyre bjeshkëve, do ta hulumtojë prodhuesi më i madh i bakrit në botë, kompania amerikane Phelps Dodge.

Ata kanë paralajmëruar se nëse del që në Kosovë ka bakër, atëherë do të investojnë direkt në Kosovë mbi 500 milionë euro, të mjaftueshme, sipas tyre, për ndërtimin e një mega-miniere të bakrit.

Hulumtimet Phelps Dodge duhet t’i fillojë domosdoshmërisht brenda 90 ditësh, kohë të cilën e parasheh edhe licenca për hulumtime. Alexander Valenta, pjesëtar i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, tha se vite me radhë kanë dyshuar se regjioni është i pasur me resurse të bakrit.

“Përpos Phelps Dodge janë të interesuara edhe disa firma të mëdha që merren me minerale, si për
bakër ashtu edhe për minerale tjera. Presim interesim edhe më të madh gjatë muajve të ardhshëm”, tha Valenta.

Sipas të dhënave të MEM, vetëm disa nga lokacionet në Kosovë janë verifikuar me shpime hulumtuese.

Në ultabazitet e Gjakovës dhe Rahovecit gjatë hulumtimit të kromit janë hasur dukuritë e mineralizimit kompakt të bakrit (Cu) në asociacion me kromin, hekurin, nikelin dhe kobaltin.

Bakri është një risi në nëntokën kosovare, ngase s’është eksploatuar asnjëherë në Kosovë. Ky metal në bursën ndërkombëtare është ndër më të kërkuarit, pas atyre që janë eksploatuar dekada me radhë në Kosovë si ari, argjendi, plumbi dhe nikeli. Lorik Haxhiu, këshilltar i ministrit të Energjetikës dhe Minierave Et’hem Çeku, tha për Express se shpimet për hulumtimin e bakrit do të bëhen në fillim të vitit të ardhshëm në Kosovën verilindore.

Si lokacion fillestar përmenden Bjeshkët e Nemuna. “Shpresojmë të gjejnë diçka. Kryesorja është se Kosova ka hyrë në vëmendje të kompanive të mëdha”, tha Haxhiu i sapokthyer nga konferenca “Minierat dhe Paratë”, që u mbajt në Londër. Sipas Haxhiut, në atë conference një nga pyetjet më të shumta që u është bërë përfaqësuesve kosovarë nga kompanitë e fuqishme ndërkombëtare në fushën e energjetikës dhe minierave, ka qenë stabiliteti politik i Kosovës. “Ata ishin shumë mirë të informuar për bisedimet për statusin. Kosovën e njohin edhe nëpërmes Trepçës dhe Ferronikelit, dhe e kanë përshëndetur privatizimin e këtij të fundit”, tha Haxhiu. Ai theksoi se përpos interesimit për minerale, të gjithë janë të interesuar edhe në fushën e energjetikës.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë të gjithë drejtorët e kompanive që merren me teknologjinë e minierave dhe bankave të ndryshme. Nga Kosova pos Haxhiut morën pjesë edhe ministri Çeku, zëvendës kryeadministratori Ruecker dhe përfaqësues të AKM Ministri Çeku ka bërë një prezantim për Kosovën dhe mundësitë e saj për një të ardhme në sektorin e xehetarisë.

Delegacioni ka biseduar me mjaft kompani të interesuara për të investuar në Kosovë, si amerikane ashtu edhe evropiane.

Marrë nga Gazeta Express
Autorë: Viktor Buzhala, Kushtrim Ahmeti