Bizneset: “Duam kushte për të eksportuar”

Tiranë, 9 prill 2005 – Afrimi i hapjes së tregut me BE-në ka rritur presionin mbi ndërmarrjet shqiptare që të përgatiten për një kapitull të ri konkurrence të një niveli më të lartë se sa atë me vendet e rajonit. Për këtë qëllim me organizim të Bashkimit Kombëtar të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë janë takuar dje në Tiranë përfaqësues biznesi, specialistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Bizneset kanë vënë në dukje problemin e barrierave të shumta administrative që ekzistojnë akoma në porte, dogana, në lidhje me vonesat në rimbursimin e TVSH-së dhe të problemeve të theksuara të furnzimit me energji. Sipas Agim Hasanit, pronar i kompanisë tregtare Alcred, edhe pas urdhrit të ministrit të Financave, Arben Malaj, ka vonesa të rimbursimit të TVSH-së, duke shkelur kështu vendimin e dalë nga vetë Ministria e Financave për rimbursim brenda 15 ditësh. Ndërkohë, Selami Xhepës, menaxher kërkimesh pranë Qendrës Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), ka vënë në dukje problemet e furnizimit me energji të bizneseve prodhuese si dhe të diskriminimit të eksportuesve shqiptarë gjatë radhës së trajtimit të dogana nga vetë doganierët shqiptarë. “Këto dy elemente, është shprehur ai, tregojnë se qeveria nuk e ka aspak prioritare nxitjen e eksporteve siç zakonisht deklarohet”. Xhepa parashikon se nënshkrimi i tregtisë së lirë do të çojë në uljen e mundshme të tarifave mesatare doganore me BE-në nga 7.5 në rreth 1.2 – 2.5 për qind. Mirëpo Xhepa ka theksuar gjithashtu se bizneset shqiptare kanë një këndvështrim të gabuar për procesin e integrimit në BE. Sipas tij: “Në një pyetësor të realizuar për integrimin në BE, 100 për qind e bizneseve janë pro këtij procesi, ndërsa në lidhje me uljen e tarifave doganore raporti ka qenë 50 me 50 për qind, çka tregon se integrimin në BE bizneset shqiptare e shohin si një menu ku mund të zgjedhin çfarë të duan, gjë që është e gabuar. Integrimi është një paketë e plotë e cila nuk mund të ndahet në pjesë sipas interesave.”
Luan Bregasi, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Tiranës ka theksuar se gjatë fjalës së tij se “edhe pse Shqipëria ka avantazhe krahasuese për të hyrë në tregun europian, deri sa këto avantazhe të mos jenë të drejtuara kundrejt tregut, këto do të ngelen thjesht vetëm potenciale. Bregasi në fund të takimit u shreh se do t’i drejtohet drejtorit të përgjithshëm të KESH-it, Andis Harasani për të përmirësuar furnzimin me energji elektrike për bizneset dhe Ministrit të Financave, Arben Malaj që ta bëjë funksional vendimin e tij për rimbursimin e TVSH-së brenda 15 ditësh. “Nëse qeveria nuk ka mundësi të na ndihmojë, atëherë së paku mos të na pengojë,” është shprehur Bregasi. Ndërsa Ismail Beka, drejtor i Agjencisë Gjermane për Mbështetje Teknike (GTZ) është i mendimt se tregtia e lirë me BE-në do të jetë veçanërisht sfiduese për sektorin e bujqësisë dhe për këtë është shumë urgjente plotësimi i standardeve sanitare dhe fito-sanitare. Ai ka kërkuar ngritjen nga qeveria të ngrejë sa më shpejt që të jetë e mundur Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, për të krijuar një integrim të strukturave të kontrollit sanitar dhe fito-sanitar, që aktualisht funksionojnë si shërbime të veçanta.

Ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli ka theksuar se “procesi i integrimit nuk duhet parë si moment i shkëputur edhe për sa i përket ekonomisë. Edhe sfidat e biznesit për hapjen e tregjeve janë pjesë e kostos së këtij integrimi”. Angjeli gjatë diskutimit të tij ka theksuar se si pasojë e tregtisë së lirë me vendet e rajonit, raporti i importeve ndaj eksporteve shqiptare ka rënë nga raporti 1 me 8, që ishte deri në vitin 2003, në 8 me 2.5 për vitin 2004. Por të dhënat e minsitrit Angjeli nuk janë të sakta pasi, sipas raportit të ACIT që iu referohet të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, importet nga rajoni kanë kaluar eksportet shqiptare për vitin 2004 në raportin 3.8 me 1, përkatësisht importet kanë qenë në vlerën e 165.57 milionë dollarë dhe eksportet në vlerën e 42.91 milionë dollarë (raporti 165.57/42.91=3.85).

ECIKS / Shekulli