Binarët që ndërpriten në Han të Elezit

FUSHË-KOSOVË, 17 GUSHT 2003 – “Hekurudhat e Kosovës janë pjesë e rezervuar e administratës ndërkombëtare, dhe në fakt deri tani kanë qenë të harruara nga institucionet e Kosovës”, është shprehur drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Fitim Shala. Shala tha se Hekurudhat janë në kompetencë të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, dhe se “kjo agjenci nuk është treguar shumë efikase në udhëheqjen e organiziatave publike”. Mirëpo, ai përmend vizitën që ua kishte bërë ministri i Trasportit, Postës dhe Telekomunikacionit, Zef Morina, pasi që ishte ftuar nga hekurudharët, ku ai e vlerësoi shumë domëthënese që sa më parë të kalojnë në kompetenca të institucioneve vendëse edhe Hekurudhat e Kosovës. Shala pohoi se nga ministri Morina të ketë marrë një propozim të Ligjit mbi Hekurudhat, të cilën e kanë pritur me padurim. “Me gjithë disa mangësi që ka, por si do të kalojë në Parlament vështirë është të thuhet, meqenëse hekurudhat janë ende pjesë e rezervuar e UNMIK-ut”, thotë z. Shala. Ndërkaq, ndonëse është investuar bukur shumë mund dhe para për futjen në funksion të hekurdhuave, megjithatë në Kosovë qarkullon vetm një tren. “Treni i udhëtarëve në linjën Fushë Kosovë-Leshak-Hani i Elezit financohet nga OKB-ja. Me kërkesën e ndërkombëtarëve ai është vënë në lëvizje për qarkullimin e minoritarëve. Është bërë një punë e mirë, meqenëse ai nuk u shërben vetëm minoritarëve, por të gjithë qytetarëve. Mund të them se se më se 70 për qind të udhëtarëve janë shqiptarë”, tha z.Shala, për të shtuar se “kanë provuar që përmes hekurudhës të lidhet Fushë-Kosova me Pejën, i cili ka lëvizur disa muaj, por jemi detyruar ta ndalim meqenëse nuk ka vagona dhe lokomotiva në numër të mjaftueshëm”. Në këtë ndërmarrje publike po bëjnë përpjekje që Hekurudhat e Kosovës të jenë edhe pjesë e asociacioneve ndërkombëtare, që është shumë me rëndësi për shkak të mundësisë për lidhje me hekurudhat e tjera. “Një prej objektivave mbetet pranimi i Hekurudhave të Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Hekurdhave – UIC. Për të arritur këtë duhet ta kemi përkrahjen e institucioneve të Kosovës, por edhe të UNMIK-ut”, shton z. Fitim Shala. Po të arrihej kjo, sipas drejtorit të Hekurudhave…, shumë do ta ndihmonte ndërmarrjen, “por më shumë klientët tanë, përkatësisht popullatën dhe subjektet ekonomike, që do të shfrytëzojnë hekurudhën për transport. Pa këtë anëtarësim, vështirë se mund ta përparojmë veprimtarinë. Vagonët tanë nuk mund lëvizin në shtetet tjera, sepse nuk kemi kod”. Është ky një problem i madh posaçërisht për biznesin. Në mungesë të qarkullimit ndërkombëtar, mallrat në Kosovë kryesisht transportohen me kamionë, që është dukshëm më shtrenjtë sesa me tren. “Njerëzit nga shtetet përëndimore mund ta dërgojnë mallin e tyre vetëm deri në kufijtë e Kosovës. Ata për këtë shërbim në vendet e tyre mund të bëjnë pagesë vetëm për shtetet e tjera jo edhe për territorin e Kosovës”, thotë z. Shala, me shpresë se gjërat do të ndryshojnë më shpejt. Drejtori i i Hekurudhave të UNMIK-ut, z.Fitim Shala, ka bërë të ditur se për hekurudhat e Kosovës janë ndarë 2 milionë euro, por nuk ka dhënë më shumë detaje se për çfarë janë dedikuar ato.

ECIKS / Koha