BERZH blen aksione në Bankën për Biznes

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është bërë pjesë e Bankës për Biznes (BpB), pasi ka vendosur të investoj në këtë bankë kosovare duke blerë 10 për qind të aksioneve, vendim që është vlerësuar si pozitiv jo vetëm për këtë bankë, por edhe për sistemin bankar të vendit dhe gjithë ekonominë.

Nënshkrimi i marrveshjes për blerjen e aksioneve është bërë të hënën dhe të pranishëm ishin disa përfaqësuas nga institucione të rëndësishme si Banka Qendrore e Kosovës dhe Ministria e Financave përvec nënshkruesve të marrëveshjes.

Drejtori për Ballkanin Perendimor i BERZH, Henry Russell, tha ”ne do të angazhohemi me njerëzit tanë edhe në Bordin e BpB-së. Na pret një punë për të avancuar edhe më shumë në tregun e Kosovës”.

Përfaqësues nga Ministria e Financave thanë që Ministria dhe Qeveria në vijimësi është angazhuar në drejtim të krijimit të parakushteve sa më të mira për investime të huaja direkte në Kosovë. Ndërsa përfaqësues nga Banka Qendrore e Kosovës thanë se hyrja e BERZH në Kosovë përmes BpB-së paraqet sinjalin më të mirë që mund t’i japim të gjithë investitorëve të huaj.

ECIKS / Koha