BB ndan 2,5 milionë USD për energjetikë dhe miniera

Në takimin e ministrit të Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çeku, me përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë, është vendosur që kjo bankë t’i ndajë 2 milionë e 500 mijë dollarë për realizimin e projektit ESTAB-3, që parasheh ndihma teknike për zhvillimin e sektorit të energjetikës dhe të minierave dhe për avancimin e legjislacionit në këtë fushë.

Prishtinë, 12 prill 2005 – Që nga themelimi i Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave, Banka Botërore është mbështetës kryesor financiar në zhvillimin e projekteve në këtë fushë. Këtë po e vazhdon edhe sot duke i ndarë kësaj ministrie 2 milionë e 500 mijë dollarë. Pos kësaj, në takimin e sotëm më përfaqësues të Bankës Botërore në Prishtinë, është biseduar edhe për disa çështje të tjera që preokupojnë energjetikën kosovare. Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Kantan Shakar tha se Banka Botërore është gjithnjë e gatshme që ta ndihmojë këtë ministri, ngase energjetika është bartësja e zhvillimit ekonomik të Kosovës: “Në bazë të Memorandumit Ekonomik të Kosovës, që është hartuar vitin e shkuar, është konstatuar që energjia do të paraqesë një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe ne shpresojmë që, edhe në të ardhmen, do ta zhvillojmë këtë bashkëpunim”. Sa i përket realizimit të projektit ESTAB-3, është me rëndësi të theksohet se për realizimin e tyre do të angazhohen vetëm ekspertët dhe kompanitë kosovare.

ECIKS / RTK