BB: 51% e kosovarëve jetojnë në varfëri

Prishtinë, 8 qershor 2004 – Një studim i Bankës Botërore (BB), i quajtur “Memorandumi ekonomik i Kosovës”, tregon se varfëria në Kosovë është duke u thelluar. Sipas studimit 15 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri ekstreme, ndërsa 37 për qind të tjerë konsiderohen të varfër.

Sipas studimit, i cili u bë publik të enjten në Prishtinë, 15 për qind e popullatës së Kosovës posedojnë në ditë 0.93 euro, që konsiderohet nën limitin e varfërisë ekstreme. Rreth 37 për qind e popullatës jetojnë me 1.42 euro, që konsiderohen si të varfër.

Sipas raportit të Bankës, në thellimin e varfërisë në Kosovë po ndikon mungesa e rritjes ekonomike dhe ulja e donacioneve me 70 për qind në periudhën kohore 2000-2003.

Gjatë prezentimit të këtij raporti, kryeministri Bajram Rexhepi tha: “Kosova po synon hapjen e tregjeve dhe kjo do të bëhet nëpërmjet një strategjie zhvillimore me mbështetje institucionale”. Rexhepi tha se nevoja për huazime afatgjata do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe uljen e varfërisë në vend. Ai tha: “Moszgjidhja e statusit final të Kosovës po e pengon zhvillimin ekonomik të vendit dhe po i dekurajon investitorët e jashtëm. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me institucionet tjera ndërkombëtare, mirëpo duhet theksuar se statusi i papërcaktuar i Kosovës është pengesë thelbësore e zhvillimit ekonomik”. Sipas kryeministrit, klima më e volitshme për investime, një sistem më i avancuar financiar, tregtia me vendet e rajonit dhe tregu i punës janë elementet e domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në anën tjetër Ali Sadriu, ministër i Ekonomisë dhe Financave (MEF), tha se zvogëlimi i fondeve të donatorëve në Kosovë është duke sjellë një frikë se mund të ketë papunësi edhe më të madhe në të ardhmen. Po ashtu, Sadriu tha se pa rifillimin e procesit të privatizimit nuk mund të ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik. “Zhvillimi ekonomik në Kosovë nuk varet vetëm nga institucionet kosovare, sepse ne kemi një ndarje të pushtetit me UNMIK-un, kjo na shpie edhe në disa vështirësi në zhvillimin dhe ekzekutimin e politikave të buxhetit”, – tha Sadriu. Gjatë diskutimeve Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), tha se zvarritja e procesit të privatizimit ka shkaktuar presione psikike dhe është shndërruar në një problem politik. “Institucionet kosovare vështirë se do të gjejnë rrugëzgjidhje për ta dërguar përpara këtë proces”, – tha Shala.

Sipas Shalës, nëse nuk vazhdon procesi i privatizimit, do të ketë probleme të mëdha politike, ekonomike dhe sociale. ”Çdo angazhim në rregullimin e pronës mbi tokën do të krijojë vende të punës, ose në të kundërtën do të bllokojë punësimin dhe këtë duhet ta ketë parasysh edhe Banka Botërore”, – tha Shala. Edhe Musa Limani, profesor i Fakultetit Ekonomik, tha se politika zhvillimore e Shtyllës IV të UNMIK-ut nuk është në nivel të zhvillimit ekonomik të Kosovës. “Janë zhvilluar degët shërbyese, duke lënë anash degët prodhuese të domosdoshme për zhvillim ekonomik”, – tha Limani.

Sipas Bankës Botërore, raporti “Memorandumi ekonomik i Kosovës” u përgatit si një kontribut analitik për të ndihmuar UNMIK-un dhe hartuesit e politikave të institucioneve vendore në formimin e reformave për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Sipas këtij raporti, stabiliteti dhe siguria më e madhe në Kosovë janë parakushte për përmirësimin e klimës ekonomike. Por sektori i energjisë elektrike shihet si pengesë e madhe për të ardhmen ekonomike në vendin tonë.

ECIKS / Biznesi