Bankat komerciale kanë shtuar kreditë për rreth 60 %

Prishtinë, 20 prill 2005 – Sektori financiar në Kosovë ka zhvilluar shumë kapacitete dhe një nivel të lartë sigurie. Megjithatë, mbetet një rrugë e gjatë për të arritur një sistem financiar modern dhe të qëndrueshëm, thanë sot në Prishtinë, drejtuesit e Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës (BPK), gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin e kaluar.

Sistemi financiar modern do të sigurojë të gjitha shërbimet e nevojshme për zhvillimin e një ekonomie tregu të frytshme. Por, në këtë rrugë duhen evituar disa pengesa, theksoi drejtori menaxhues i BPK-së, Mishel Sveçine. “Pasiguria e statusit të ardhshëm të Kosovës nuk i inkurajon investimet e huaja dhe integrimin e vendit në rrjetet financiare ndërkombëtare. Në mungesë të një kodi Swift, rritet margjinalizimi i Kosovës”, ka theksuar Mishel Sveçine. Drejtuesit e BPK-së përmenden edhe angazhimin drejt zvogëlimit të përdorimit të parave të gatshme. Në këtë drejtim do të ndihmojë edhe projekti Kos-Giro, për pagesën e faturave të ndërmarrjeve publike përmes bankave. Ekonomia kosovare në vitin e kaluar ka shënuar rritje për 3.2 për qind, që nënkupton se kishte një ngadalësim të zhvillimit ekonomik, pasi që vitin 2003 rritja ekonomike në shkallë vendi ishte 4,7 për qind. Bankat komerciale kanë shtuar kreditë për rreth 60 % dhe kjo vlerësohet si pozitive. Në konferencën e sotme për gazetarë, u njoftua po ashtu se BPK-ja do të shpërndajë në treg apoenët metalike të imta që shërbejnë për kusur, në vlerë prej 1, 2 dhe 5 cent.

ECIKS / RTKLive